Lidhje

Shqetësime për plakjen e popullatës në Evropën Lindore


Në një raport të publikuar sot, Banka Botërore llogarit se deri në vitin 2025 shumë vende të Evropës Lindore dhe ish republikat sovjetike do të kenë popullsi më të vogla dhe më të plakura. Banka Botërore paralajmëron se prirja e plakjes së popullsisë do të sjellë pasoja të rënda ekonomike, në se nuk ndërmerren reforma të menjëhershme.

Banka Botërore llogarit se në më pak se dy dekada, popullsia në Evropën Lindore dhe ish Bashkimin Sovjetik do të zvogëlohet me gati 24 milion njerëz. Vetëm Rusia llogaritet të humbasë rreth 17 milion njerëz, ose 12 përqind të popullatës në vitin 2000. Statistikat janë edhe më alarmuese për Ukrainën e cila ka të ngjarë të humbasë 24 përqind të banorëve deri në vitin 2025.

Plakja e popullatës përbën një kërcënim për suksesin ekonomik të rajonit thotë ekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qëndrore Pradeep Mitra. "Ndërsa numri i njerëzve që janë në moshë pune ulet, bëhet gjithnjë e më e vështirë të rriten standartet e jetesës dhe të ketë rritje ekonomike të cilën e kërkojnë të gjitha vendet. Kjo mund të sjellë trysni të madhe fiskale në çështje të tilla si pensionet dhe kujdesi shëndetësor".

Deri në vitin 2025, popullata e 28 vendeve të rajonit do të jetë midis më të moshuarave në botë thuhet në raportin e Bankës Botërore “Nga e Kuqja në Gri: Tranzicioni i Tretë i Plakjes së Popullsisë në Evropën Lindore dhe Ish Bashkimin Sovjetik”.

Në raport thuhet se Sllovenia dhe Kroacia do të kenë përqindjen më të lartë të njerëzve mbi 65 vjeç në Evropën Lindore. Shumë vende ish komuniste përballen tashmë me probleme për financimin e pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor për të moshuarit. Realitetet e reja demografike në se nuk zgjidhen do të kenë efekte serioze në shpenzimet publike thotë eksperti i Bankës Botërore: "Ne duhet të rrisim moshën e pensionit si për burrat edhe për gratë dhe duhet të gjejmë mënyra alternative të kujdesit shëndetësor për të moshuarit."

Mitra thotë se Evropa Lindore dhe ish republikat sovjetike kanë mosha relativisht të ulta të daljes në pension. Ai thotë se rritja e produktivitetit do të jetë me rëndësi vendimtare që ky rajon të shmangë rënien ekonomike në të ardhmen.

Mitra thotë se ndryshimet demokgrafike në Evropën Lindore do të ndikojnë gjithashtu mbi pjesën perendimore të kontinentit. Ndërkohë që në Evropën Lindore ndryshon fuqia punëtore, Evropa Perendimore duhet të kërkojë njerëz nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut për të mbushur boshllëqet e kësaj fuqie punëtore. //rd//

XS
SM
MD
LG