Lidhje

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, misioni dhe ndikimi i tij


Në fillim të majit Shtetet e Bashkuara u zgjodhën të marrin pjesë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut u themelua tre vjet më parë, me 15 mars 2006, si pjesë e reformave të drejtuara nga ish-sekretari i përgjithshëm Kofi Annan. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme që ka krijuar këtë këshill citon se ky organ i ri do të jetë përgjegjës për promovimin dhe respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe për mbrojtjen e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ky organ prej 47 anëtarësh është gjithashtu përgjegjës për trajtimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në botë.

Ekspertja e Kombeve të Bashkuara, An Bajevski, e cila punon për Institutin Hudson, thotë se këshilli ka zëvendësuar ish Komisionin për të Drejtat e Njeriut që kishte 53 anëtarë.

“Komisioni për të Drejtat e Njeriut përbëhej prej shumë vendeve që abuzonin të drejtat e njeriut. Madje edhe Libia ishte kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut për një periudhë kohe. Kjo, thjesht, diskreditoi punën e komisionit i cili nuk shqyrtonte me kujdes shkeljet e të drejtave të njeriut.”

Shumë analistë thonë se ato që filluan si përpjekje të sinqerta për krijimin e një këshilli të ri, në fund krijuan një organ shumë të ngjashëm me komisionin e mëparshëm. Përpjekjet për të reformuar procesin zgjedhor dhe kriteret e rrepta të anëtarësisë ndaj vendeve që marrin pjesë në këshillin e ri—u hoqën nga shumë vende anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Në atë kohë, Xhon Bolton ishte ambasador i Shteteve të Bashkuar në OKB.

“Do t’ju jap një shembull. Gjëja e fundit për të cilën evropianët bënë lëshime ishte një dispozitë në projekt-rezolutën origjinale për krijimin e këshillit të ri, që thoshte se vendet që janë sanksionuar nga OKB-ja për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ato që mbështesin terrorizmin nuk mund të shërbejnë në Këshillin e ri për të Drejtat e Njeriut. Ne menduam se kjo ishte dispozitë e thjeshtë dhe e drejtë. Por shumë vende e kundërshtuan këtë dhe Evropianët në fund i pranuan kundërshtimet duke mos këmbëngulur në këtë dispozitë. Për mua kjo ishte shenja e fundit se ky organ i ri nuk do të ishte ndryshe nga organi i mëparshëm.”

Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Ishujt Marshall dhe Palau votuan kundër krijimit të këtij këshilli. Uashingtoni gjithashtu vendosi të mos konsiderohet kandidat për zgjedhjet e organit të ri të Kombeve të Bashkuara.

Analistët thonë se shumica e anëtarëve të këshillit—25 nga 47 anëtarë—klasifikohen nga organizata për të drejtat e njeriut, Freedom House, si vende që ‘jo të lira’ ose ‘pjesërisht të lira.’ Ekspertët thonë se këshilli gjithashtu ka anëtarë që janë cituar për abuzime të të drejtave të njeriut si Rusia, Kina, Arabia Saudite, Kuba, dhe Kirgistani.

Ndërkaq shumë ekspertë të tjerë thonë se pas vetëm tre vjetësh që nga krijimi i tij, Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka nevojë për reforma serioze.

Majkëll Dojl, këshilltar i ish-Sekretarit të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, thotë se ndryshimet duhet të bëhen së pari në mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit.

“Dua të shoh ndryshime në procedurat e zgjedhjeve, ku duhet të ketë më shumë kandidatë se sa vende për çdo rajon. Së dyti, dua të shoh vendet të konkurojnë me platforma që vleresojnë praktikat e të drejtave të njeriut në vendet e tyre përkatëse dhe ato të shoqërohen me deklarata që shpjegojnë se si kanditurat e tyre do të kontribuonin në zgjerimin e të drejtave të njeriut.”

Ambasadorja Amerikane në Kombet e Bashkuara, Suzan Rajs, tha kohët e fundit se Uashingtoni po shqyrton mundësinë e forcimit dhe reformimit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Ajo e bëri këtë deklaratë pasi Shtetet e Bashkuara u zgjodhën për një periudhë tre vjeçare në keshill duke filluar nga data 19 qershor. Por pavarësisht deklaratave pozitive, shumë ekspertë vënë në pyetje se sa do të jetë në gjendje Uashingtoni të bëjë ndryshime dhe reforma domethënëse duke marrë parasysh përbërjen e tanishme të këtij Këshilli. //ad//

XS
SM
MD
LG