Lidhje

Pagjumësia. Barnat kundër tensionit, edhe ndaj goditjeve në zemër



Pagjumësia kronike

Rreth 30 përqind e amerikanëve preken nga pagjumësia të paktën një here dhe gjithnjë e më shumë pancientë marrin ilaçe për t’i ndihmuar të flenë natën. Por studime të reja tregojnë se barnat përbëjnë vetëm zgjidhje të përkohëshme, në krahasim me terapinë me këshilla për të fjetur më mirë.


Thuajse cdo njeri ndonjëherë ka problem me gjumin. Por për 10 përqind të amerikanëve, pagjumësia është problem kronik, dhe mbetja pa gjumë gjatë natës krijon lodhje serioze gjatë ditës.

Çdo vit, pacientët marrin nga mjeku miliona receta për barna si Ambien, Lunesta e Sonata që luftojnë pagjumësinë.

Shkencëtarët në Kanada shqyrtuan për 6 muaj, rreth 160 pacientë me pagjumësi kronike. Pjesmarrësit iu nënshtruan terapisë vetëm me këshilla ose me këtë terapi të kombinuar me ilaç Ambien.

Gjatë terapisë me këshilla, pacientët mësuan mënyra të tilla; si të shkojnë në shtrat vetëm kur të ndjejnë se po u vjen gjumi; para se të shkojnë në shtrat të shmanging pije a ushqime që përmbajnë kafeinë; dhe të ngrihen nga shtrati çdo mëngjes në të njëjtën orë.

Shkencëtarët gjithashtu u shpjeguan pacientëve se është mit të mendohet se njeriu duhet të flejë 8 orë çdo natë.

Rezultatet e vëzhgimit treguan se pacientët përfituan më shumë kur fillimisht u trajtuan me terapi me këshilla së bashku me ilaçin Ambien dhe pas 6 muajsh kaluan vetëm në terapi me këshilla.

Shkencëtarët thonë se për t’i dhënë fund pagjumësisë kronike një here e përgjithmonë njeriu duhet të mësohet t'a luftojë pagjumësinë nëpërmjet zakoneve të shëndetëshme dhe jo duke marrë ilaçe.

Barnat kundër tensionit, edhe ndaj goditjeve në zemër

Barnat për uljen e tensionit të gjakut mund të ndihmojnë jo vetëm pacientët që vuajnë nga tensioni lartë, por edhe ata që janë në rrezik për goditje në zemër a në tru. Pas shqyrtimit provave klinike në këtë fushë, shkencëtarët vunë re se personat e moshuar që ishin trajtuar me barna kundër tensionit të gjakut kishin pakësuar edhe gjasat për goditje në zemër e në tru, pavarësisht nëse vuanin nga tensioni i lartë gjaku ose jo. Shkencëtarët mendojnë se mjekët duhet t’ua ofrojnë këto barna të gjithë pacientëve të moshuar.

Studimi ri i bën sfidë idesë se vetëm pacientët me tension të lartë gjaku mund të përfitojnë nga trajtimi me barna.

Mjekët në Britani analizuan kërkimet shkencore e provat klinike të kryera gjatë 40 vjetëve të fundit në fushën e barnave kundër hipertensionit. Ata shqyrtuan gjithashtu të dhënat shëndetësore të rreth 400 mijë pacientëve.

Rezultatet treguan se barnat kundër tensionit të lartë të gjakut pakësuan gjasat e sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru tek thuajse të gjithë pacientët, madje edhe tek ata që nuk kishin patur kurrë problem në zemër ose hipertension.

Këto barna pakësuan 25 përqind rrezikun për goditje në zemër dhe ulën ofro 35 përqind rrezikun për goditje në tru.

Për uljen e tensionit të gjakut ekzistojnë 5 grupe barnash, përfshi diuretikët, bllokuesit ACE. Gjatë studimit shkencëtarët vunë re të gjitha grupet e ilaçeve kundër tensionit të lartë pakësuan rrezikun, dhe një kombinim i barnave shpesh ishte më i efektshëm.

Studimi u botua në Revistën mjekësore Britanike. Autorët propozojnë që mjekët duhet t’u ofrojnë të gjithë personave të moshuar barna të tensionit të gjakut, edhe nëse ata kanë nivel normal tensioni në gjak.

Ekspertë të tjerë e pranojnë se rezultatet e këtij studimi janë nxitëse e optimiste, por ata thonë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar grupmoshën e personave që mund të përfitojnë nga trajtimi me këto barna.


Lexo dhe komento: http://astritlulushi.wordpress.com

XS
SM
MD
LG