Lidhje

Niveli i papunësisë dhe ndikimi i tij tek ekonomia amerikane - 2004-06-17


Departamenti amerikan i punës bën të ditur se gjatë muajit maj në Shtetet e Bashkuara u krijuan 248 mijë vende të reja pune, ndërsa gjatë 3 muajve të fundit ekonomisë amerikane iu shtuan afro 1 milionë vende pune.

Megjithëse numri i vendeve të punës në muajin maj shënoi rritje, niveli i papunësisë ishte i njëjtë me atë të muajit prill; 5, 6 përqind. Sipas njoftimeve të shtypit, kjo ndodhi pasi krahas shtimit të vendeve të punës u shtua edhe numri i atyre që kërkojnë punë.

Shifrat e raportit mbi gjendjen e tregut të punës përbëjnë shenja se ekonomia po përmirësohet. Sipas byrosë së analizave ekonomike, zyrë pranë departamentit të Tregtisë, ekonomia amerikane ka ardhur duke u rritur që nga tremujori i fundit i vitit 2001. Por deri në shtator të vitit të kaluar, numri i të punësuarve ishte pakësuar. Kjo situatë çoi në shqetësime se Shtetet e Bashkuara po pllakoseshin nga papunësia.

Tani, presidenti Bush thotë se ekonomia është e fortë dhe po forcohet akoma më shumë. Shtëpia e Bardhë thotë se kjo rritje e re ekonomike është rrjedhim i politikës së presidentit për uljen e taksave personale. Arsyetimi është se njerëzit që paguajnë më pak taksa i përdorin këto kursime për investime dhe shpenzime.

Por kandidati demokrat për president, John Kerry thotë se ekonomia amerikane ndodhet në një periudhë ngadalësimi. Në një deklaratë që lëshoi zyra e fushatës së zotit Kerry thuhet se Amerika ndodhet në periudhën më të vështirë të daljes nga papunësia që nga koha e krizës së madhe para luftës së dytë botërore. Në deklaratë thuhet se ata që gjejnë punë paguhen pak, ndërkohë që atyre u duhet të shpenzojnë më shumë për kujdes shëndetsor, shkollim dhe benzinë.

Para shtatorit të kaluar, ekonomia amerikane kishte humbur rreth 2, 6 milionë vende pune më shumë sesa ishin krijuar që nga ardhja e zotit Bush në krye të vendit. Vendet e reja të punës të krijura rishtaz e kanë përgjysmuar këtë shiftër. Në se prirja e tanishme vazhdon, defiçiti në tregun e punës mund të zbutet deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Në më se 70 vjet, asnjë president amerikan nuk ka humbur vende pune më shumë sesa ka fituar gjatë mandatit të tij.

Sipas treguesve, jo të gjithë amerikanët janë të sigurt rreth përmirësimit të ekonomisë. Indeksi i Ndenjave të Konsumatorit që harton universiteti Miçigan tregon 4 përqind rënie në muajin maj. Disa ekonomistë thonë se shqetësimet rreth inflacionit dhe mundësisë së rritjes së interesave bankare mund të ndikojnë tek ndjenjat e njerëzve.

XS
SM
MD
LG