Lidhje

Mjekësi dhe shkencë - Cilat ishin arritjet më të mëdha në 2007


Studimet për qelizat embrionale ishin temat kryesore përsa i takon mjekësisë dhe shkencës në vitin 2007. Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë globale përshëndetën gjithashtu përparimin e bërë për menaxhimin e dy sëmundjeve vdekjeprurëse.

Qelizat embrionale kanë aftësinë të prodhojnë çdo qelizë në trupin e njeriut. Shkencëtarët thonë se kjo u jep mundësinë këtyre qelizave që të kurojnë sëmundje duke u manipuluar në mënyrë të tillë që të shndërrohet në inde të shëndetshme dhe të dobishme.

Në vitin 2007, dy ekipe studiuesish, një në Shtetet e Bashkuara dhe një tjetër në Japoni njoftuan se kishin arritur me sukses të shndërronin qeliza të lëkurës në një lloj qelize bazë me aftësinë për t’u kthyer në lloje të ndryshme qelizash. Kjo arritje shmang nevojën për përdorimin e qelizave embrionale.

James Thompson i Universitetit të Wisconsit ishte një nga studiuesit amerikanë që ndihmuan në shndërrimin e qelizave të lëkurës. Ai thotë se kjo arritje mund të kontribuojë në fashitjen e debatit të ashpër mbi përdorimin e embrioneve njerëzore për qëllime studimore.

“Besoj se këto rezultate të reja, megjithëse nuk e shmangin tërësisht debatin, përbëjnë ndoshta fillimin e eliminimit të tij”.

Studiuesit amerikanë gjetën të dhënat e para që qelizat e riprogramuara mund të funksionojnë për të shëruar sëmundjet, duke hedhur hapa për të frenimin e një çrregullimi të rruazave të kuqe të gjakut tek minjtë. Në eksperimentin me minjtë, shkencëtarët riprogramuan qelizat e lëkurës së minjve duke i kthyer në një gjendje të ngjashme me qelizat embrionale dhe duke i bërë ato të prodhonin rruaza të kuqe gjaku. Kur minjve iu injektua gjaku i shndërruar, ata filluan të prodhojnë rruaza normale gjaku dhe simptomat u zhdukën.

Në vitin 2007, tre shkencëtarë Mario Capecchi i Universitetit të Utas, Oliver Smithies i Universitetit të Karolinës së Veriut dhe Martin Evans i Universitetit të Uellsit fituan çmimin Nobel për mjekësinë për paisjen e kafshëve me cilësitë që bëjnë të mundur kërkimet më të shumta gjenetike.

“Do të thoja që studimet tona varen nga këto zbulime”, thotë Matthew Goldberg, neurolog i Universitetit Southwestern të Dallasit në Teksas. Ai bën studime për gjetjen e kurës për sëmundjen e Parkinsonit.

Ekipi i tij përdor minjtë e pajisur me këto cilësi në përpjekje për të identifikuar se cilat gjene janë shkaktare të kësaj sëmundjeje. Tek këta minj, thotë Dr, Goldberg, disa gjene janë çaktivizuar për të imituar sëmundjen njerëzore.

“Duke e eliminuar këtë gjen, mund të analizohet reagimi i miut dhe çfarë ndryshimesh fiziologjike ndodhin, për të kuptuar kështu funksionin normal të gjenit”. Në vitin 2007, pati gjithashtu zhvillime të rëndësishme në drejtim të shëndetit global publik. Numri i rasteve të fruthit u pakësua me 91 për qind në Afrikë dhe 68 për qind në shkallë botërore falë një fushate intensive vaksinimi.

Në fund të vitit 2007, studiuesit njoftuan për një përparim të rëndësishëm drejt një vaksine kundër malarjes. 91 për qind e 1 milion fëmijëve që preken çdo vit nga malarja në gjithë botën jetojnë në Afrikën nënsahariane.

Në një provë në Mozambik, ilaçi eksperimental e pakësoi rrezikun e 2 mijë të rinjve me raste të rënda malarjeje me afro 60 për qind. Shkencëtarët thonë se vaksina që prodhohet nga GlaxoSmithKline, mund të vihet në dispozicion pas dy vjetësh. //bsa//

XS
SM
MD
LG