Shkencëtarët në Zvicër thonë se mund të kenë parë për herë të parë grimcën nënatomike Higs Boson, që konsiderohet nga shumë vetë në botën e shkencës si një ndër gurët e themelit të gjithësisë.
Por shkencëtarët u rezervuan dhe nuk deklaruan një zbulim konkret, duke thënë se eksperimentet në laboratorin Cern të Gjenevës kanë rezultuar në prova shpresë-dhënëse, megjithëse jo të konfirmuara për ekzistencën e kësaj grimce.
Ekzistenca e grimcës Higs Boson u ngrit për herë të parë teorikisht nga fizikani britanik Peter Higs, mbi 40 vjet më parë.
Shpesh e njohur me termin “Grimca e Zotit”, kjo thërrmijë nënatomike ndihmon për të kuptuar përse universi ka peshë dhe masë.
Zbulimi i saj do të ishte pjesa që i mungon “Modelit Standard” të fizikës moderne, i cili përbën sistemin e rregullave të grimcave dhe forcave që veprojnë në gjithësi.