Lidhje

Energjia bërthamore: të mirat dhe të këqiat e saj


Në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një debat lidhur me të mirat dhe të metat e energjisë bërthamore, në një kohë që vendi përpiqet të bëhet më i pavarur nga nafta e importuar si burim energjie. Ata që janë në favor të uzinave bërthamore thonë se kjo është një formë e pastër dhe e sigurt energjie, por të tjerë nuk mendojnë kështu. Ata thonë se pikërisht shqetësimet që lidhen me sigurinë dhe me përpunimin e mbetjeve bërthamore ua kalojnë së tepërmi përfitimeve që mund të vijnë nga përdorimi i energjisë bërthamore.

Në Shtetet e Bashkuara sot ka 104 uzina bërthamore të shpërndara në të gjithë vendin. Në kuadrin e planit të tij për energjinë, Presidenti Bush ka bërë thirrje që Amerika të mbështetet akoma më shumë te energjia bërthamore.

Ata që janë në favor të centraleve bërthamore thonë se ato do t’i bëjnë Shtetet e Bashkuara më pak të varura te nafta si burim energjie.

Por Tyson Slocum, drejtor i çështjeve të energjisë pranë organizatës Public Citizen – Qytetari Publik, thotë se shtimi i energjisë së prodhuar nga uzinat bërthamore nuk ka për ta ulur ndjeshëm konsumin e naftës.

"Nafta përdoret për prodhimin e vetëm 1.2 përqind të energjisë elektrike të vendit. Energjia bërthamore nuk përdoret dot për të vënë në lëvizje automobilët, të cilët janë burim i konsumit më të madh të naftës në Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër nafta nuk është ndonjë burim i rëndësishëm për prodhimin e elektricitetit në vend. Pra sado që të shtohet mbështetja e Amerikës te energjia bërthamore, kjo nuk do ta pakësojë kërkesën e vendit për naftë."

Një çështje tjetër që ka ngjallur debate është ndikimi i uzinave bërthamore te mjedisi. Mal McKibben, dikur inxhinjer uzinash bërthamore dhe tani drejtor ekzekutiv i organizatës Qytetarët për Teknologjinë Bërthamore, thotë se centralet bërthamorë janë, nga pikpamja e mjedisit, më të sigurt se sa burimet e tjerë të prodhimit të energjisë si qymyrguri.

"... energjia bërthamore nuk krijon shi acid, nuk krijon smog, nuk krijon ngrohje globale, ndërsa qymyrguri dhe nafta janë burim i të gjitha këtyre."

Por Tyson Slocum i organizatës Qytetari Publik, thotë se uzinat bërthamore përbëjnë një rrezik të veçantë për mjedisin.

"Çdo uzinë prodhon qindra tonelata mbetje me nivel të lartë rrezatimi, të cilat qendrojnë pa u dekompozuar në natyrë për qindra e mijra vjet. Sot për sot ne nuk kemi ndonjë zgjidhje për trajtimin me efektshmëri dhe pa probleme të këtyre mijra tonelatave mbetje bërthamore."

Presidenti Bush ka mbështetur një plan, i cili ka ngjallur polemika, për ndërtimin e një objekti për depozitimin e mbetjeve bërthamore në Malin Juka, një rajon i shkretë në shtetin perëndimor të Nevadës. Ai mbështet gjithashtu idenë për riciklimin dhe ripërpunimin e mbetjeve bërthamore përmes Partneritetit Global për Energjinë Bërthamore.

McKibben, ish inxhinjer bërthamor, thotë se në vend që të depozitohen, mbetjet bërthamore mund të riciklohen.

"Aktualisht ne përdorim më pak se 5 përqind të energjisë në materialin bërthamor sepse nuk e riciklojmë. Nëse do ta riciklonim, ne mund të shfrytëzonim deri në 95 përqind të tij."

Kundërshtarët e energjisë bërthamore ngrejnë edhe mundësinë e një aksidenti si ai i vitit 1979 në reaktorin Three Mile Island të Pensilvanisë apo si katastrofa e Çernobilit në Ukrainë në vitin 1986.

Por Dale Klein, kryetari i sapoemëruar i Komisionit amerikan për Rregullimin Bërthamor, thotë se industria bërthamore është për t’u lavdëruar në aspektin e sigurisë.

"Çernobili ishte një reaktor shumë i paqendrueshëm. Vendet perëndimore nuk kanë reaktorë aq të pastabilizuar sa ai i Çernobilit. Reaktorët që përdoren në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore janë shumë më të qendrueshëm dhe kanë një të kaluar të shkëlqyer."

Por kundërshtarët e energjisë bërthamore si eksperti Ira Helfand thonë se rreziqet e energjisë bërthamore janë shumë më ogurzeza se sa duken.

"Mendoj se ne duhet t’i shikojmë uzinat bërthamore si armë të shkatërrimit në masë të vendosura në pika të ndryshme strategjike të vendit që ua kemi vënë në dispozicion terroristëve, të cilët mund t’i sulmojnë në të ardhmen."

Por drejtori i Komisionit për Rregullimin Bërthamor, Klein, shpjegon se industria bërthamore i ka shtuar mjaft masat e sigurisë për të shmangur çdo sulm të mundshëm terrorist, sidomos pas 11 shtatorit 2001.

"Mendoj se industria ka reaguar mjaft mirë pas 11 shtatorit, duke shpenzuar shumë para për të bërë përmirësime dhe masat e sigurisë në uzinat bërthamore janë mjaft të mira."

Megjithatë, thotë zoti Klein, industria bërthamore nuk duhet të bjerë në vetkënaqësi.

Sipas atyre që janë kundër uzinave bërthamore, Shtetet e Bashkuara duhet të studiojnë burime alternativë energjie siç janë energjia e erës apo e diellit.//ii

XS
SM
MD
LG