Lidhje

Lëndët djegëse alternative, burim i ardhshëm i energjisë


Në fjalimin e tij të përvitshëm drejtuar vendit, Presidenti Bush përcaktoi një synim ambicioz për Shtetet e Bashkuara, pakësimin e importit të naftës nga Lindja e Mesme me 75 për qind. Ai tha se kjo mund të realizohet duke rritur furnizimin me lëndë djegëse alternative dhe duke pakësuar përdorimin e planifikuar të benzinës në Shtetet e Bashkuara me 20 për qind gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Kjo mund t’i japë një shtytje të madhe përpara industrisë së prodhimit të etanolit:

"Është në interesin tonë jetik të kemi shumëllojshmëri në furnizimit me energji të vendit. E ardhmja është teknologjia",-tha Presidenti.

Duke u bazuar tek nisma e Presidentit, Depertamenti amerikan i Energjisë po i kërkon Kongresit 17 milionë dollarë për përmirësimin e efikasitetit të automobilëve dhe Departamenti i Bujqësisë po kërkon 1,6 miliardë dollarë financime të reja për zhvillimin e burimeve të reja të ernegjisë, në përpjekje për të mbështetur synimin e Presidentit për pakësimin e përdorimit të benzinës me 20 për qind.

"Duhet të përpiqemi për më shumë kërkime për makinat elektrike dhe ato hibride, si dhe të shtojmë përdorimin e makinave me naftë dhe me benzinë. Duhet të vazhdojmë të investojmë për gjetjen e metodave të reja të prodhimit të etanolit",-tha ai.

Në Shtetet e Bashkuara, ka tani 110 uzina për prodhimin e etanolit dhe 73 të tjera janë në ndërtim e sipër. Etanoli është një lloj karburanti me bazë alkoholi, që prodhohet përmes fermentimit dhe distilimit të drithërave, zakonisht, misrit. te bashkuar me benzinë. Etanoli rrit ekifasitetin e lëndës djegëse dhe pakëson çlirimin e rrezikshëm të gazeve nga makinat. Por ka edhe aspekte negative të përdorimit të lëndëve ushqimore si burim karburanti.

Çmimi i ushqimeve mund të rritet. Eksportet mund të pakësohen. Po ashtu, shumë besojnë se procesi i rafinerimit të etanolit nuk ështe aq i efektshëm, përsa i përket energjisë. Gasam Asrar punon për Departamentin amerikan të Bujqësisë.

"Sfida që kemi përpara është zhvillimi i mëtejshëm i bio-rafinerive të brezit të ardhshëm, ato që mund të përdorin gjethet, degët dhe mbetjet bujqësore si lëndë e parë për lëndën djegëse, kjo i përket së ardhmes",- tha ai.

Është fjala për qendrat më të fundit kërkimore për prodhimin e etanolit celuloz. Në rastin e misrit, etanoli celuloz nuk përbëhet nga koçani i misrit, por nga rrënjët dhe pjesë të tjera që zakonisht nuk përdoren për ushqim. Susan Hant është specialiste për bio-karburantet në Institutin Worldwatch të Washingtonit.

"Një veti interesante e etanolit celuloz është se të ndihmon të shmangësh konfliktin që krijojnë lëndët ushqimore dhe po ashtu të lejon të përdorësh lëndë të parë më të pastëra për mjedisin, pra mbetjet apo kullotat, që përmendi Presidenti në fjalimin e tij, që janë shumë më të pastëra për ambjentin. Kjo duket se do të jetë e ardhmja e etanolit",- tha ajo.

Pra, në këtë mënyrë, shkencëtarët kanë më shumë shansin t’i përmbushin synimet e parashtruara nga Presidenti për energjinë.

"Amerika është në prag të zbulimeve teknologjike që do të na mundësojnë të mos varemi më tek nafta e importuar; këto teknologji do të na ndihmojnë ta ruajmë më mirë mjedisin, si dhe të përballojmë sfidën serioze të ndryshimit të klimës globale", - tha Presidenti.

XS
SM
MD
LG