Lidhje

Elektrik dore me energji diellore - përgjigja më e mirë në mungesë të dritave


Në pjesët më të varfëra të botës, veçanërisht në fshatrat e zonave të thella dhe në lagjet e shkatërruara apo të mbipopulluara të qyteteve, njerëzit janë shpesh të izoluar në shtëpitë e tyre pa drita gjatë natës. E vetmja dritë që kanë vjen zakonisht nga zjarri ose ndonjë fener ndotës. Por një afarist nga Houstoni i Teksasit po përpiqet ta ndryshojë këtë duke u shpërndarë vendeve në zhvillim elektrik dore që e marrin energjinë nga dielli.

Projekti i elektrikëve të dorës filloi disa vjet më parë në Afrikë ku ish diplomati amerikan Mark Bent punonte për një kompani nafte. Ai thotë se njerëzit në shumë zona të varfëra ishin të ngujuar në errësirën e natës, pa mundësi për të lexuar, punuar apo për t’u larguar nga shtëpitë e tyre, të pasigurtë për atë që mund t’i priste. “Komunikimi social në Afrikë ndalon kur perëndon dielli. Elekrikët e dorës mund t’i gjesh në tregjet afrikane, por janë të shtrenjtë dhe bateritë nuk shkojnë gjatë”. Kështu që Mark Bent investoi kohën dhe paratë e tij për të zhvilluar elektrikët solarë. “Ky është një panel diellor. Është një panel polisilikoni dhe prodhon energji kur goditet nga dielli. Elektriciteti më pas depozitohet brenda elektrikut në bateri që mund të rikarikohen. Gjatë natës kjo energji që është ruajtur emetohet në dioda dhe jep dritë”. Bateritë që rikarikohen shkojnë nga 750 deri në 1 mijë netë në varësi të përdorimit.

Një nga të mirat bazë të këtyre elektrikëve është se ato mund të pakësojnë përdorimin e llampave me vajgur dhe ndotjen e ajrit. “Një llampë vajguri lëshon një qind kilogram gaz karbonik në vit. Vërtet nuk është shumë por kur konsideron se një e treta e planetit, gati 2 miliardë njerëz përdorin këto llampa për ndriçim kjo është një sasi e madhe”.

Me mbështetje financiare nga Exxon Mobil dhe disa korporata të tjera donatore, Bent ka paraqitur elektrikët e tij të dorës në mbarë Afrikën dhe në pjesë të tjera të botës. Ai po inkurajon gjithashtu amerikanët t’i blejnë ato përmes një plani të veçantë nga i cili përfitojnë edhe për vende të tjera. “Unë krijova programin bli një, dhuro një. Një amerikan mund të blejë elektrikun për 25 dollarë. Dhe unë do të dërgojë nga depoja ime në Houston me të njëjtat para, një elektrik dikujt në nevojë në vendet në zhvillim”. Mark Bent po shikon mundësinë e shfrytëzimit të aplikimeve të tjera nga energjia solare për zonat e varfëra të botës.

Një pajisje që do të përdorte panelet diellore për të furnizuar me elergji sistemin e pastrimit të ujit. Një tjetër do të përdorë insekticidet natyrore për të luftuar mushkonjat që shkaktojnë malarien.“Të gjitha këto kërkojnë pak energji dhe të gjitha mund të realizohen por askush nuk e ka parë me seriozitet këtë praktikë më parë”. Mark Bent ka plot ide, po synimi i tij kryesor është të ndihmojë të varfërit t’i shpëtojnë errësirës duke përdorur forcën e diellit. //rd//

XS
SM
MD
LG