Lidhje

Kremtohen Pashkët katolike në Shqipëri


Mijëra besimtarë të krishterë festuan sot pashkët katolike, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre. Qysh herët ata u mblodhën në objektet e tyre të kultit për të kremtuar Pashkët, duke uruar njëri-tjetrin, duke kënduar dhe duke takuar udhëheqësit fetarë.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, uroi besimtarët katolikë duke bërë thirrje për të shtuar harmoninë midis qytetarëve.Zoti Topi u dërgoi një mesazh Arqipeshkvit metropolit të Tiranës e Durrësit dhe Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore, imzot Rrok Mirdita, si dhe gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë me urime për festën, ku e vlerëson pashkën si festën e ringjalljes si një ditë e shënuar gëzimi e shprese.

Presidenti Topi thotë në mesazh se kjo është dita e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, dhe e rikthimit të njeriut tek vlerat shpirtërore, ai thotë se këto janë vlera që duhen trashëguar brez pas brezi.

Ai bëri thirrje që në frymën e Pashkës të ndihmohen personat më në nevojë dhe njerëzit të bashkëpunojnë në harmoni me njëri tjetrtin për të ardhme të begatë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen.Në objektet e kultit, si në katedralen e Shën Palit ashtu edhe në shumë kisha të tjera, u mbajtën dje dhe sot ceremoniale të posacme për festën e pashkëve katolike.

Shqipëria është një ndër vendet që njihet për harmoninë tradicionale midis tre feve të ndryshme në një popullatë relativisht të vogël, e cila nuk ka shënuar asnjëherë konflikte ndërfetare. Komunitetet fetare respektojnë njëri-tjetrin dhe qytetarët mbështesin njëri-tjetrin në jetën e përditshme, në përpjekjet e përbashkëta për një jetë më të mirë. //kh//

XS
SM
MD
LG