Në fillim të majit Shtetet e
Bashkuara u zgjodhën të marrin pjesë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të
Kombeve të Bashkuara. Këshilli i
Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut u themelua tre vjet më parë, me
15 mars 2006, si pjesë e reformave të drejtuara nga ish-sekretari i përgjithshëm
Kofi Annan. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme që ka krijuar këtë këshill citon
se ky organ i ri do të jetë përgjegjës për promovimin dhe respektimin universal
të të drejtave të njeriut dhe për mbrojtjen e të gjitha të drejtave dhe lirive
themelore të njeriut.Ky organ prej 47
anëtarësh është gjithashtu përgjegjës për trajtimin e shkeljeve të të drejtave
të njeriut në botë.
Ekspertja
e Kombeve të Bashkuara, An Bajevski, e cila punon për Institutin Hudson, thotë
se këshilli ka zëvendësuar ish Komisionin për të Drejtat e Njeriut që kishte 53
anëtarë.
“Komisioni për të Drejtat e Njeriut
përbëhej prej shumë vendeve që abuzonin të drejtat e njeriut. Madje edhe Libia
ishte kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut për një periudhë kohe. Kjo,
thjesht, diskreditoi punën e komisionit i cili nuk shqyrtonte me kujdes
shkeljet e të drejtave të njeriut.”
Shumë
analistë thonë se ato që filluan si përpjekje të sinqerta për krijimin e një
këshilli të ri, në fund krijuan një organ shumë të ngjashëm me komisionin e
mëparshëm. Përpjekjet për të reformuar procesin zgjedhor dhe kriteret e rrepta
të anëtarësisë ndaj vendeve që marrin pjesë në këshillin e ri—u hoqën nga shumë
vende anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Në atë
kohë, Xhon Bolton ishte ambasador i Shteteve të Bashkuar në OKB.
“Do t’ju jap një shembull. Gjëja e
fundit për të cilën evropianët bënë lëshime ishte një dispozitë në projekt-rezolutën
origjinale për krijimin e këshillit të ri, që thoshte se vendet që janë
sanksionuar nga OKB-ja për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ato që
mbështesin terrorizmin nuk mund të shërbejnë në Këshillin e ri për të Drejtat e
Njeriut. Ne menduam se kjo ishte dispozitë e thjeshtë dhe e drejtë. Por shumë vende e kundërshtuan këtë dhe
Evropianët në fund i pranuan kundërshtimet duke mos këmbëngulur në këtë
dispozitë. Për mua kjo ishte shenja e fundit se ky organ i ri nuk do të ishte
ndryshe nga organi i mëparshëm.”
Shtetet
e Bashkuara, Izraeli, Ishujt Marshall dhe Palau votuan kundër krijimit të këtij
këshilli. Uashingtoni gjithashtu vendosi të mos konsiderohet kandidat për
zgjedhjet e organit të ri të Kombeve të Bashkuara.
Analistët
thonë se shumica e anëtarëve të këshillit—25 nga 47 anëtarë—klasifikohen nga
organizata për të drejtat e njeriut, Freedom House, si vende që ‘jo të lira’
ose ‘pjesërisht të lira.’ Ekspertët thonë se këshilli gjithashtu ka anëtarë që
janë cituar për abuzime të të drejtave të njeriut si Rusia, Kina, Arabia
Saudite, Kuba, dhe Kirgistani.
Ndërkaq
shumë ekspertë të tjerë thonë se pas vetëm tre vjetësh që nga krijimi i tij,
Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka nevojë për reforma
serioze.
Majkëll
Dojl, këshilltar i ish-Sekretarit të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, thotë se
ndryshimet duhet të bëhen së pari në mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të
këshillit.
“Dua të shoh ndryshime në procedurat e
zgjedhjeve, ku duhet të ketë më shumë kandidatë se sa vende për çdo rajon. Së
dyti, dua të shoh vendet të konkurojnë me platforma që vleresojnë praktikat e
të drejtave të njeriut në vendet e tyre përkatëse dhe ato të shoqërohen me deklarata
që shpjegojnë se si kanditurat e tyre do të kontribuonin në zgjerimin e të
drejtave të njeriut.”
Ambasadorja
Amerikane në Kombet e Bashkuara, Suzan Rajs, tha kohët e fundit se Uashingtoni
po shqyrton mundësinë e forcimit dhe reformimit të Këshillit për të Drejtat e
Njeriut. Ajo e bëri këtë deklaratë pasi Shtetet e Bashkuara u zgjodhën për një
periudhë tre vjeçare në keshill duke filluar nga data 19 qershor. Por pavarësisht
deklaratave pozitive, shumë ekspertë vënë në pyetje se sa do të jetë në gjendje
Uashingtoni të bëjë ndryshime dhe reforma domethënëse duke marrë parasysh përbërjen
e tanishme të këtij Këshilli. //ad//