Lidhje

Nga zgjedhjet në Shqipëri - 2001-06-24


Shqipëria po zhvillon sot zgjedhjet e përgjithshme për parlamentin e ri. Procesi, siç pohojnë shumë burime, në pjesën më të madhe të vendit po ecën relativisht mirë, ndërkohë që policia dhe opozita po vënë në dukje disa incidente.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Rendit, në një qendër votimi të zonës elektorale 36 në Tiranë, kanë ndodhur dy plagosje me armë zjarri, gjë që vlerësohet deri tani si incidenti më i rëndë i zgjedhjeve. Zëdhënësi thotë se dy persona janë grindur me një të tretë, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe ka goditur me qytën e armës, ndërsa një plumb i dalë nga arma ka plagosur Gjergj Gjokën. Personi nuk është në rrezik jete, ndërsa policia është në ndjekje të Genci Lules, i cili përdori armën. Të njëjtën ngjarje opozita e komenton si një sulm të bodigardit të kandidatit socialist, Luan Hajdaraga.

Në qytetin e Vlorës Ministria e Rendit ka shkarkuar nga detyra një polic, i cili ishte futur në një qendër votimi pa autorizim. Në fshatin Belaj të Kukësit, kryetari i komunës Dan Kaloshi, sipas policisë, ka rrëmbyer me forcë fletët e votimit dhe i ka grisur të gjitha. Në komunën e Shllakut në zonën 2, policia ka arrestuar tre persona si autorë të shkatërrimit të të gjitha materialeve të votimit, dhe aty votimi është ndërprerë. Në zonën 20 të Peshkopisë, sipas burimeve të policisë, Asllan Avdia është marrë prej policisë pasi po ushtronte presion ndaj qytetarëve.

Ndërkaq opozita ka parqitur një numër protestash ndaj sjelljeve të policisë. Në Peqin, thotë Bashkimi për Fitore, forcat e policisë kanë keqtrajtuar rëndë kryetarin e komisionit zonal të zgjedhjeve dhe tre komisionerë të opozitës, ndërsa edhe sekretari i komisionit u keqtrajtua dhe u dëbua nga policia prej qendrës së votimit. Po sipas opozitës, në Fier forcat e policisë hynë në dy qendra votimi në zonën 70 dhe kërcënuan komisionerët. Ndërkaq në zonën 68 të Fierit një punonjës i lartë i shërbimit informativ, duke lëvizur me automjet nga njëra qendër në tjetrën, u bënte presion zgjedhësve të mos votojnë për opozitën. Opozita ka protestuar gjithashtu edhe për tensione dhe parregullsi të konsiderueshme në Durrës. Një qytetar ka rrëmbyer 250 fletë votimi në Shkozet, i mbështetur edhe nga policia, siç thekson opozita, dhe është përpjekur t’ua shpërndajë ato presonave të panjohur. Edhe në Kavajë opozita thotë se policia po bën presion ndaj qytetarëve në qendrat e votimit dhe ka nxjerrë vëzhguesit e opozitës nga të gjitha qendrat e votimit, duke lënë aty vetëm vëzhguesit socialistë.

Informacionet jo-zyrtare flasin për një pjesëmarrje relativisht të ulët deri në mesditë, por zyrtarët dhe komisionerët shpresojnë se një fluks më i madh votuesish do të paraqiten pasi të kalojnë orët e nxehta të ditës. Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehet shumë i kënaqur me ecurinë e deritanishme të procesit.

XS
SM
MD
LG