Policia në Çarleston të Karolinës së Jugut tha se janë ngritur nëntë akuza për vrasje ndaj personit të arrestuar pas masakrës në një kishë të qytetit.
I riu 21-vjeçar i bardhë Dylann Roof u kap në një shtet fqinj, pasi miqtë dhe familja e njohën në video. Ai do të dalë para gjykatës sot lidhur me masën e arrestit.
Autoritetet federale po e hetojnë ngjarjen si një krim me motive të mundshme urrejtjeje. 21-vjeçari u dërgua dje me avion në Karolinën e Jugut nën shoqërimin e FBI-së.
Roof hyri në kishën Afrikane Metodiste Episkopale, gjatë një takimi të përjavshëm lutjesh dhe qëndroi me besimtarët një orë para se të hapte zjarr. Nga zjarri mbetën të vrarë 9 persona.