Lidhje

Viktima në një spital në Afganistan


Një sulm ajror në Afganistanin verior vrau të paktën 19 persona, ndër ta tre fëmijë, në një spital të meanxhuar nga “Doktorët Pa Kufij”.

Sipas organizatës, dymbëdhjetë anëtarë të stafit janë ndër të vdekurit në spitalin në Kunduz, pas një fushate të vazhdueshme bombardimi që vazhdoi për mbi 30 minuta pasi ishin informuar zyrtarët amerikanë dhe afganë në Kabul dhe në Uashington.

Ushtria amerikane pranoi të ketë zhvilluar një goditje ajrore në zonë që mund të ketë shkaktuar këto viktima në mjedisin spitalor.

Një zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan, Kolonel Brian Tribus, tha se objektiv i sulmit ishin individë që përbënin rrezik.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ofroi lutjet e tij për të gjithë të prekurit, në një deklaratë të bërë sot. Ai informoi se “po zhvillohet një hetim i plotë për incidentin tragjik, në bashkëpunim me qeverinë afgane”.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Afganistan dënoi me forcë sulmin, duke theksuar se “shënjestrimi i objekteve dhe personelit spitalor është i papranueshëm në çfarëdolloj rrethane”. Një zëdhënës i komitetit i tha Zërit të Amerikës se janë "tepër të shokuar dhe të hidhëruar nga ky lajm tragjik”.

Pak më herët, një deklaratë e organizatës “Doktorët Pa Kufij” dënon maksimalisht bombardimin e tmerrshëm të spitalit në Kunduz të mbushur me pacientë dhe anëtarë të stafit. Organizata vë në dukje se ishin informuar qartazi të gjitha palët, përfshirë Kabulin dhe Uashingtonin, për koordinatat e sakta të vendndodhjes së spitalit në Kunduz, pasi kishin filluar luftimet në qytet.

Organizata kërkon sqarime të menjëhershme për rrethanat e ngjarjes tragjike. Sipas “Doktorëve Pa Kufij”, në momentin e goditjes ajrore, në spital ndodheshin rreth 105 pacientë, familjarë, dhe mbi 80 anëtarë vendas dhe të huaj të stafit të organizatës.

XS
SM
MD
LG