Lidhje

Shkatërrohet radioja e IS-it në Afganistan


Autoritetet në Afganistan thanë të martën se sulmet ajrore të kryera me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rajonin e trazuar lindor të këtij vendi, kanë shkatërruar radio stacionin e Shtetit Islamik bashkë më lidhjet e internetit dhe pajisjet tjera.

Gjatë sulmeve janë vrarë edhe 29 luftëtarë të Shtetit Islamik, përfshirë pesë pjesëtarë të personelit të radios së ashtuquajtur "Zëri i Kalifatit", në krahinën Nangahar, i tha Zërit të Amerikës, zëdhënësi krahinor Attaullah Khogyani, duke shpalosur hollësi të aksionit ushtarak të së hënës.

Ai tha se sulmet janë kryer në zonën malore të qarkut Achin, ku IS-i kishte vendosur shtabin e tij prej nga grupi terrorist po përpiqej të shtrinte ndikimin e tij dhe të organizonte sulme në zona të tjera në Afganistan.

Ministria afgane e Mbrojtjes, konfirmoi se sulmet e heshtën transmetuesin e IS-it.

Zyrtarët dhe banorët e Nangarharit thanë se radioja e Shtetit Islamik transmetonte dy orë program në ditë që prej tre muajsh. Por, transmetimet pushuan që nga mbremja e së hënës.

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, koloneli Michael Lawhorn, i konfirmoi Zërit të Amerikës se janë kryer dy sulme kundër terroriste në Achin. “Për shkaqe të sigurisë operacionale nuk mund të diskutojmë hollësi të operacioneve kundër terroriste" tha ai.

Radioja e IS-it shkruan në twitter se "Zëri i Kalifatit, fuqishëm mohon raportimet e regjimit kukull në Kabul se radioja është shkatërruar"

Radio stacioni që vepronte nga një transmetues mobil në zonën malore në rajonin kufitar ndërmjet Afganistanit e Pakistanit, e kishte terrorizuar rajonin për disa muaj. Fillimisht ajo transmetonte në gjuhën Pashto, ndërsa më pas shtoi edhe gjuhën Dari javën e fundit.

Në transmetimet e përditshme përfshihenin propaganda antiqeveritare, thirrjet për t'u bashkuar me IS-in, kërcënimet ndaj punonjësve qeveritar dhe intervista me luftëtarë të IS-it.

XS
SM
MD
LG