Lidhje

Përdhunimet në Afrikën e Jugut


Përdhunimi në grup dhe si pasojë vdekja e një adoleshenteje në Afrikën e Jugut ka tronditur mbarë vendin. Sulmet seksuale në Afrikën e Jugut janë shumë të shpeshta dhe nuk duket se kjo gjendje është duke u përmirësuar. Por zyrtarë të lartë në vend thonë se sulmi më i fundit mund të shërbejë si një thirrje zgjimi, siç ndodhi në Indi, pas rastit të përdhunimit në grup të një vajze në New Delhi dhjetorin e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Johanesburg, Anita Powell, njofton:

Edhe në një vend që konsiderohet si kryeqyteti i përdhunimeve në botë, historia e Anene Booysenit është shokuese. Vajza 17-vjeçare u gjet të shtunën e kaluar në një qendër në ndërtim e sipër në Kepin perëndimor. Atë e kishin përdhunuar disa herë rresht dhe e kishin masakruar. Ajo vdiq të mërkurën. Masakrimi ishte i tillë, sa që një zyrtar i shëndetësisë tha se ekipi i spitalit ku u dërgua vajza ishte duke marrë seanca këshillimi nga psikologu, për shkak të skenës së tmerrshme që kishin parë. Anene Boousen, para se të vdiste, arriti të identifikonte njërin prej sulmuesve, ish-të dashurin e saj 22-vjeçar. Lidhur me krimin janë arrestuar edhe tre të dyshuar të tjerë.

Zemërimi për këtë rast ka kumbuar deri në sferat më të larta të shoqërisë jugafrikane. Presidenti Jacob Zuma shprehu indinjatë të thellë dhe bëri thirrje për dënime të ashpëra për autorët e sulmit seksual.

Zëdhënësi i Presidentit, Mac Maharaj, tha se vdekja e Booysenit mund të përbëjë një pikë kthese në Afrikën e Jugut, ashtu sikurse ndodhi në Indi pas përdhunimit dhe vdekjes së një vajze në New Delhi.

“Ndoshta në mënyrë perverse, kjo ngjarje do të ngjallë një reagim të tillë, që i gjithë komuniteti, e gjithë shoqëria, qeveria, policia gjykatat dhe komunitetet që punojnë bashkë, do të veprojnë të gjithë për ta çrrënjosur këtë fenomen të rëndë për shoqërinë tonë. Ky është një problem i madh dhe ai nuk mund të kapërcehet me një veprim të vetëm. Nevojitet ndryshimi i sjelljes, jo vetëm nga ana e përdhunuesve, por edhe mes ne të gjithëve, që së bashku ta çrrënjosim atë.”

Policia jugafrikane dokumentoi vitin e kaluar më tepër se 64 mijë raste përdhunimesh.
Një studim i vitit 2010 shumë i cituar, zbuloi se mbi 25 për qind e burrave jugafrikanë kanë pranuar se kishin përdhunuar një femër. Ndërsa 1 në 7 burra ka pranuar se kishte marrë pjesë në përdhunim në grup.

Aktivisti për të drejtat gjinore, Dumisani Rebombo është një prej këtyre burrave. Ai tregon, se kur ishte 15 vjeç, shokët e ngacmonin, se nuk ishte burrë. Prandaj, në përpjekje për të provuar burrërinë e tij, ai mori pjesë në një përdhunim në grup. Viktima nuk e raportoi asnjëherë krimin dhe ndaj tij nuk u ngritën asnjëherë akuza. Por 20 vjet më pas, ai e gjeti vajzën dhe i kërkoi asaj të falur. Ajo i tha se jeta e saj kishte ndryshuar tërësisht pas përdhunimit. Sot, Dumisani drejton projektin “One Man Can”, “Edhe një burrë i vetëm mundet”, që punon për ndërgjegjësimin e komuniteteve rurale me problemin e përdhunimit. Ai thotë se mendon që pabarazia gjinore është një faktor përcaktues i epidemisë së përdhunimeve në Afrikën e Jugut.

“Nuk mund të them se kjo është arsyeja, por mendoj se pabarazia gjinore është një faktor përcaktues. Që nga lindja, ne si shoqëri i trajtojmë ndryshe djemtë dhe vajzat, rritemi me nocionin se burrat janë dhe duhet të jenë superiorë, prandaj duhen trajtuar më me respekt dhe dinjitet se sa gratë.”

Ai thotë se nuk i pranon argumentet që i shkarkojnë burrat nga përgjegjësia për këtë perceptim. Aktivistja Zubeida Shaik është një nga organizatoret e marshimit masiv kundër dhunës ndaj grave në Kep Taun dhe Johanesburg. Ajo thotë se ve re një shtim të sulmeve brutale ndaj grave.

Këto marshime do të mbahen Ditën e Shën Valentimit, më 14 shkurt, por thotë ajo, mos prisni të shihni zemra dhe lule. Kjo mënyrë perceptimi thotë ajo, nuk ekziston më. Në vend të kësaj, grupi i saj po kërkon të shkojë tek komunitetet për t’i detyruar ato të përballen me këtë problem si grup.

“Tani ne jemi duke parashtruar kërkesat tona. Nuk është më koha të tregohemi të sjellshëm për rastet e përdhunimeve. Nuk është më koha të themi se do të lobojmë për këtë problem dhe do të bashkëpunojmë me qeverinë, është koha ta shndërrojmë përdhunimin në problem të komuniteteve dhe të gjejmë zgjidhje brenda komunitetit, sepse pikërisht atje ekziston ky fenomen.”

Një zyrtar në Kepin perëndimor i tha një stacioni lokal lajmesh se të rinjtë nuk duhet të rrezikojnë veten, duke dalë në kohë të papërshtatshme. Por zonja Shaik thotë se këto komente vetëm se kontribuojnë më tej tek ky problem, sepse me këtë rast fajësohen gratë, që lëvizin natën, apo ditën. Zonja Shaik thotë se gratë dhe vajzat duhet të jenë të lira të lëvizin kur të duan, të vishen si të duan, përndryshe, thotë ajo, kjo ngre pikëpyetje për shoqërinë.

Pikërisht me këtë pikëpyetje ndeshet shoqëria në Afrikën e Jugut, ndërsa përballet me numrin më të madh të sulmeve seksuale që ka patur ndonjëherë vendi.
XS
SM
MD
LG