Lidhje

Pasuria, denoncim kreut të Apelit


ILDKP-ja ka bërë kallzim ndaj kryetarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës Alaudin Malaj për “deklarime të rreme” dhe “dyshime për pastrim parashë” për pasurinë 1.7 milion euro

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës Alaudin Malaj është denoncuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, i cili ka bërë ndaj tij kallzim penal në Prokurori, në përfundim të kontrollit të deklaratave të tij mbi pasurinë dhe të ardhurat.

"Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1,7 milion euro”, njoftoi sot ILDKP-ja në një komunikatë zyrtare. Në vitin 2003, pasuria e deklaruar nga gjyqtari Malaj ishte 60 mijë euro.

Inspektorati i Lartë ka kërkuan nga Prokuroria “një hetim të plotë e të gjithanshëm” ndaj gjykatësit “pasi të dhënat e institucioneve shtetërore ngrenë dyshime të forta për injektim parash të “pista” nëpërmjet skemës së krijimit të bizneseve të ndërtimit në emër të familjarëve të tij, kalimin e aseteve, vlerave monetare dhe aksioneve te Malaj, nëpërmjet kontratave fiktive të huave e të dhurimit, e më pas shitjen dhe riinvestimin e tyre prej tij në aktivitete brenda dhe jashtë vendit”.

ILDKP-ja njofton se do të verë në dijeni “menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrin e Drejtësisë me qëllim marrjen e masave disiplinore” ndaj kryetarit të Gjykatës së Apelit.

XS
SM
MD
LG