Lidhje

Pasojat për mjedisin dhe ekonominë nga rrjedhja e naftës në Gjirin e Meksikës


Një rrjedhje e madhe nafte në brigjet e Shteteve të Bashkuara, pranë shtetit të Luizianës, i ka kushtuar kompanisë British Petroleum qindra miliona dollarë për të përballuar koston e deritanishme të pastrimit. Por pasojat më të rënda mund të jenë për mjedisin dhe njerëzit që jetojnë e punojnë përgjatë Gjirit të Meksikës.

Siç e di gjithëkush, nafta dhe uji nuk përzjehen, por në oqean ato mund të përbëjnë një kombinacion mbytës për botën e gjallë të nënujit. Rrjedhjet e cisternave të naftës, të tubacioneve naftësjellëse apo të platformave të çpimit në det mund të prekin mjedisin nënujor për vite me radhë. Doug Inkley, shkencëtar në Federatën Kombëtare të Faunës shpjegon:

"Tani për tani ne jemi përballë pasojave afat-shkurtëra dhe implikimeve të mundëshme për botën e nënujit dhe ekosistemet e tjera të prekura direkt nga rrjedha e naftës. Por efektet toksike dhe anësore mund të zgjatin për vite me radhë. Nga përplasja e anijes Exxon Valdez në kreshtën koralore në Prince William Sound të Alaskës, tani edhe pas 20 vjetësh ka specie që nuk janë mëkëmbur plotësisht si në gjendjen para rrjedhjes".


Deri me rjedhën e Exxon Valdez-it prej mëse 260,000 fuçish nafte në vitin 1989, katastrofa më e madhe e naftës në Shtetet e Bashkuara kishte ndodhur pranë brigjeve të Santa Barbaras në Kaliforni në vitin 1969 dhe kishte mbuluar ujrat dhe bregun perëndimor me rreth 4800 fuçi nafte që u përhapën në një sipërfaqe prej 1300 kilometrash katrore, duke mbytur mijëra zogj që uleshin në ujrat e këtyre brigjeve, mamalë dhe peshq.

Por rjedhja e naftës në Kaliforni në vitin 1969 i dha shkas lëvizjes moderne të mbrojtjes së mjedisit. Por dëmet që i janë shkaktuar botës së nënujit janë një pjesë e problemit. Rrjedhjet e naftës mund të sjellin pasoja të rënda për ekonominë e rajonit. Plazhet pranë ujrave të ndotura nga nafta nuk i tërheqin turistët dhe industria e peshkimit në zonën e ndotur pothuajse zhduket. Në Luiziana, zonat ku peshkatarët kapin karkaleca dhe gaforre janë mbyllur pasi rrjedha e naftës rrezikon të ndotë ujrat e peshkimit.

"Kjo është një katastrofë ekologjike që do të ndryshojë jetesën e njerëzve pothuajse përgjithmonë. Ajo që duhet të bëjmë është të bindemi se kjo na prek të gjithëve dhe meqë ne vetë përdorim naftën dhe gazin, ndosha edhe ne kemi pjesën tonë të fajit”.


Doug Inkley thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen në karburantin e rigjenerueshëm sepse aksidentet dhe rjedhjet e naftës nuk mund të shmangen. Sara Banaszek, kryekonomiste në Institutin Amerikan të Naftës është dakord se kjo nevojë ekziston, por tani për tani, thotë ajo, nafta mbetet burimi i vetëm më i madh i energjisë në botë.

"Për momentin, në këtë vend më pak se një përqind e energjisë sigurohet era dhe dielli. Ajo po rritet me shpejtësi por nga një bazë shumë e ngushtë. 60 përqind e energjisë këtu sigurohet nga nafta dhe gazi natyror. Kjo ka shënuar rënie krahasur me 25 vjet më parë, kur rreth 70 përqind e energjisë sigurohej nga nafta dhe gazi. Sipas parashikimeve kjo do të bjerë në rreth 50 përqind në të ardhmen”.

Sara Banaszek thotë se një aksident si ai i Gjirit të Meksikës është jashtëzakonisht i rallë. Gjetkë nëpër botë aksidente të tilla kanë qënë më të shumta. Vitin e kaluar në Australi, një pus nafte i një kompanie tajlandeze u vu nën kontroll pas 10 javësh derdhjeje në Detin e Timorit. Problemi është se derdhjet e naftës nuk pastrohen lehtë.

Mbetet për t’u parë se sa do të ndikojë aksideti i Gjirit të Meksikës në politikën energjetike të Shteteve të Bashkuara, duke patur parasysh edhe se industria e naftës është burimi i qindra mijëra vendeve të punës në Amerikë.

XS
SM
MD
LG