Lidhje

Shqipëri: Përmirësohet situata hidroenergjitike


Në një njoftim të ditës së sotme, Koorporata Elektro Energjitike e Shqipërisë bëri të ditur se, si rezultat i rreshjeve të ditëve të fundit, është përmirësuar ndjeshëm situata hidrike në ujëmbledhësit e tre hidrocentraleve më të mëdhej të vendit, që gjenden në Kaskadën e Lumit Drin. Aktualisht rezerva energjitike e grumbulluar është rreth 1153.4 GWH, ç’ka premton për një furnizim normal të konsumatorëve vendas, por edhe për eksportimin e një pjese të energjisë së prodhuar. Prej gati një viti, kjo është edhe situata më e mirë hidroenergjitike në Shqipëri.

Gjatë ditës së sotme, prodhimi ditor i energjisë elektrike nga HEC-et e Kaskadës së Drinit arriti në afër 19 milion KWh. Prurjet e mëdha të ujit si dhe rritja e nivelit në ujëmbledhësit e tre hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit, kanë detyruar KESH-in të rrisë prodhimin e energjisë, duke vënë në punë të gjithë agregatet e hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, me synim për të mbajtur në kuota të pranueshme dhe nën kontroll nivelet e ujrave, parashikuar kjo nga Rregullorja dhe vendimarrjet përkatëse të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave.

Në mëngjesin e ditës së sotme, niveli i ujit në ujëmbledhësin e hidrocentralit më të madh të Shqipërisë, atë të Fierzës, arriti në kuotën e 290.74 metrave, ose rreth 5 metër poshtë kuotës maksimale të tij.

Në ujëmbledhësin e HEC të Komanit, niveli i ujit arriti në 172.18 metër, ndërsa prurjet e ujit në rreth 200 m³/sek,

Kurse në HEC e Vaut të Dejës, niveli i ujit është 75.05 metër dhe prurjet rreth 90 m³/sek.

Vënia në punë e të gjithë agregateve të hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit ka prodhuar energji tej nevojave të konsumit vendas. Në këto kushte, pas procedurave standarte, për periudhën 13-20 shkurt, KESH ka shitur në tregun e parregulluar një sasi energjie me vlerë 1.04 mln euro, duke përmirësuar kështu të ardhurat e kompanisë.

Ndërkohë, moti me rreshje të dendura dhe stuhi ka krijuar probleme në rrjetin e trasmetimit të energjisë në një pjesë të madhe të zonës veriore të Shqipërisë, ku regjistrohen edhe defekte të shumta dhe ndërprerje të energjisë, sidomos në zonat rurale. Ndërpreje të energjisë pati sot edhe gjatë një tubimi të të rinjve demokratë në Shkodër, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha. Ndërsa në rrethin e Hasit, tre punonjës të OSSHE rrezikuan sot jetën gjatë punës për të mbajtur në gatishmëri rrjetin e energjisë.

XS
SM
MD
LG