Lidhje

ShBA të angazhojë trupa tokësore për krizën në Ukrainë


Ndërsa situata në rajonet rusisht-folëse, në lindje të Ukrainës, ku Rusia ka grumbulluar rreth 40 mijë trupa në kufi, po acarohet, një ish diplomat amerikan i bën thirrje administratës së Presidentit Obama të dërgojë trupa amerikane në kuadër të NATO-s, në vendet anëtare të aleancës që janë në kufi me Ukrainën. Në një intervistë për kolegun Arben Xhixho, ish ambasadori amerikan në Irak, James Jeffrey, i cili ka shërbyer ai ambasador edhe në Turqi e Shqipëri, thotë se dërgimi i forcave tokësore në këto vende, do t’i dërgonte një mesazh të qartë presidentit Putin kundër synimeve të tij për të aneksuar territore.
ShBA të angazhojë trupa tokësore për krizën në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:44 0:00


Zëri i Amerikës: Ambasador Jeffrey në një artikull të shkruar para disa ditësh në gazetën Washinton Post, ju sugjeroni dërgimin e trupave amerikane dhe të NATO-s në vendet anëtare të NATO-s në kufi me Ukrainën. Përse trupa tokësore?

Amb. James Jeffrey: Trupat tokësore kanë një simbolikë tjetër dhe një vlerë tjetër që nuk krahasohet me atë forcave ajrore apo detare. Siç e pamë në Kosovë në vitin 1999, vetëm pasi Toni Blair kërcënoi me dërgimin e trupave tokësore, vetëm atëhere fushata ajrore e NATO-s përfundoi me sukses. Në rastin e tanishëm të Ukrainës, nëse Rusia vazhdon të kërcënojë vende me pakica të mëdha rusisht-folëse, siç bëri në Krime dhe siç po bën në rajonet lindore të Ukrainës, atëhere ajo duhet ta ketë të qartë se, nëse grumbullon forca të mëdha në kufi, siç bëri në Ukrainë, do të përballet me trupat e NATO-s, me trupa amerikane. Ajo që ka rëndësi është që Perëndimi t’i tregojë Rusisë se ne jemi të vendosur. Patrullimi me aeroplanë është më mirë se të mos bësh asgjë, por është shumë i lehtë.

Zëri i Amerikës: A egziston rreziku që dërgimi i trupave tokësore në këto rajone, ta acaronte më tej situatën?

Amb. James Jeffrey: Pa dyshim që jo. Trupat tokësore do t’ia bënin të qartë zotit Putin, ashtu siç kemi bërë që nga viti 1991, se nuk do të lejojmë që në Evropë të rikthehet shekulli i 19 dhe i 20, me idetë e tij të kërcënimit, të kontrollit dhe ndikimit në rajone të caktuara, ide që kanë shkaktuar luftra të shumta në të kaluarën me qindra miliona të vrarë në luftërat botërore.

Zëri i Amerikës: Ndonëse ju e sugjeroni dërgimin e trupave tokësore, a mendoni se kjo është një alternativë realiste?

Amb. James Jeffrey: Shanset që të ndodhë janë shumë të mira. Manovra të një shkalle të vogël, me forca speciale, tashmë kanë filluar. Dhe sapo administrata ta shohë se marrëveshja e Gjenevës nuk ka asnjë lloj vlere, me përjashtim të bllokimit të sanksioneve të mëtejshme të perëndimit ndaj Rusisë, ajo do të fillojë të shohë mundësinë për sanksione më të forta dhe asgjë nuk dërgon një mesazh më të fortë se sa trupat tokësore.

Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur se reagimi i Perëndimit deri tani ka qënë i dobët. Përse mendoni se ka ndodhur kështu?

Amb. James Jeffrey: Arësyeja e parë është për shkak të interesave ekonomike shumë të rëndësishme. Unë e kuptoj Evropën në këtë drejtim, varësinë e saj nga gazi rus dhe në një masë më të vogël edhe nga nafta. Por ka edhe firma të mëdha amerikane që kanë kontrata të shumta dhe ka shqetësime se Rusia është një treg i madh dhe ato nuk duan ta humbasin. Po ashtu egziston mendimi se e gjitha kjo ishte një gabim i madh, që mund të rregullohet me bisedime. Për mua nuk ishte një gabim që ndodhi rastësisht. Presidenti Putin e di saktësisht se çfarë synon të realizojë dhe këtë ne e kemi parë të ndodhë më parë në Evropë dhe shqiptarët po ashtu e kanë parë.

Zëri i Amerikës: Si e shihni rolin e Gjermanisë në këtë kontekst? Gjermania ka interesa të fuqishme ekonomike në Rusi dhe është nga ana tjetër vendi më i fuqishëm i Bashkimit Evropian.

Amb. James Jeffrey: Gjermania pa dyshim ndodhet në një situatë jo të lehtë, pasi varet më shumë nga gazi rus se sa vendet e tjera, sidomos pas vendimit të fundit, për mua të gabuar, për t’u tërhequr plotësisht nga përdorimi i energjisë bërthamore. Por nga ana tjetër, Gjermania është një vend serioz dhe Angela Merkel është një kancelare serioze. Ajo i njeh mirë problemet e Rusisë. Në fund të fundit, edhe pse me hezitim, Gjermania do marrë vendimin e drejtë, nëse Shtetet e Bashkuara do të vihen në krye të përpjekjeve dhe do të bashkëpunojnë me të.

Zëri i Amerikës: Presidenti Putin e ka përmendur shpesh paralelizimin me Kosovën kur ai flet për Krimenë. Vendet perëndimore e kanë cilësuar si të gabuar krahasimin, por a pritet të ketë ndikim rasti i Krimesë në Ballkan?

Amb. James Jeffrey: Së pari, gjithçka që ai ka thënë është qesharake, nga çdo këndvështrim. Ajo që ndodhi në Kosovë ishte reagim ndaj masakrave në masë dhe dëbimit të banorëve. Kjo u dokumentua nga të gjitha organizatat ndërkombëtare. Të gjithë ishin për ndërhyrje, me përjashtim të Rusisë, që e bllokoi në Këshillin e Sigurimit. Dhe vetëm pastaj ne vepruam. Pa dyshim që ngjarjet në Krime do të kenë ndikim në Ballkan. Oreksi i Rusisë do të shtohet me kontrollin e pjesëve të vogla të vendeve të ndryshme, pjesë të Gjeorgjisë, Krimenë, Ukrainën lindore, dhe së shpejti do të fillojë trysnia ndaj Transdniestrias e më pas vështrimin do ta kthejë nga Ballkani, ku ka lidhje historike, etnike dhe fetare. Kjo ka për të ndodhur, në se nuk ndalet tani.

Zëri i Amerikës: Kjo krizë ka edhe një dimension tjetër, atë të shtypit. Propaganda ruse është shtuar ndjeshëm kohët e fundit. Si i është përgjigjur kësaj perëndimi?

Amb. James Jeffrey: Shumica e njerëzve që ndjekin zhvillimet në politikën e jashtme janë të ndërgjegjshëm për rrezikun, ndonëse kanë mosmarrëveshje se ç’duhet bërë. Ky është një ndryshim shumë i madh, është diçka që nuk e kemi parë në Evropë për një kohë shumë të gjatë. Ata e dinë këtë. Problemi janë popullsitë. Jo aq shumë për shkak të propogandës ruse, ndonëse edhe ajo ka rolin e saj, problemi është se popullsitë në Amerikë, por më shumë në Evropë, besojnë se jemi në një epokë të re, ku lufta, agresioni dhe udhëheqës si Putini nuk janë më pjesë e historisë, nuk janë më të mudura. Por realiteti po provon të kundërtën.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë hapat e ardhshëm lidhur me situatën në Ukrainë?

Amb. James Jeffrey: Hapi i ardhshëm për zotin Putin, është ta bëjë Ukrainën një vend të pamundur për t’u qeverisur, duke ruajtur revoltën në lindje, duke bllokuar me forcat e tij çdo përpjekje në Ukrainë për të rivendosur rendin, duke minuar ekonominë e Ukrainës, duke kërkuar pagesat për energjinë dhe pa dyshim kërcënime dhe ndërprerje të furnizimit me gaz. Mendoj se perëndimi do të përpiqet ta ndihmojë Ukrainën, por ky është një vend i madh, që është qeverisur keq. Gjëja më e rëndësishme për Ukrainën është që të zhvillojë zgjedhje në muajin maj. Nëse arrihet të zhvillohen zgjedhjet e reja, ku banorët të mbështesin këtë qeveri, ose një tjetër, atëherë ne do të kemi më shumë legjitimitet, jo se kemi nevojë për të, por do të kemi më shumë legjitimitet për t’iu kundërvënë kërcënimeve dhe akuzave të presidentit Putin.
XS
SM
MD
LG