Lidhje

Flasin të ndaluarit amerikanë në Korenë e Veriut


Tre të ndaluarit amerikanë që mbahen në Korenë e Veriut u lejuan të flasin dje me median e huaj. Qeveria koreane kufizoi temat e pyetjeve dhe intervistat në Phenian kishin afat kohor prej 5 minutash. Secili nga të ndaluarit i kërkoi Uashingtonit të dërgojë një përfaqësues në Phenian për të siguruar lirimin e tyre.

Tre amerikanët, Matthew Miller, Jeffrey Fowle dhe Kenneth Bae i bën thirrje qeverisë amerikane të dërgojë një të dërguar special për të negociuar lirimin e tyre. Zoti Bae tha, “E vetmja shpresë që kam është që këtu të vij dikush nga Shtetet e Bashkuara.”

Nga të tre, Kenneth Bae është i vetmi që është gjykuar. Ai po kryen dënimin me 15 vjet punë të detyruar, megjithëse ai tha se është i vetmi përveç rojeve që janë në kamp.

Bae është misionar i krishterë i cili u arrestua ndërsa kryesonte një grup turistik.

Familja e zotit Bae vizitoi Uashingtonin në fillim të vitit për të punuar për lirimin e tij. Nëna e tij Myung-hee Bae ndoqi intervistën e fundit të djalit të saj dhe bëri të njëjtën lutje.

“Dua të lirohet tani pasi duket qartë se trupi i tij nuk mund të përballojë dot burgim të gjatë në kampet e punës. Duket se trupi i është zvogëluar shumë, i dhëmb shpina dhe ka çrregullim të gjumit, prandaj i kërkoj qeverisë sonë të veprojë tani”.

Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara negociuan për lirimin e një të burgosuri në Korenë e Veriut ishte viti 2009, kur ish presidenti Bill Clinton siguroi lirimin e gazetareve Laura Ling dhe Euna Lee. David Straub, ish drejtor i Departamentit të Shtetit për Korenë, ndihmoi zotin Klinton me negociatat. Ai tha se këtë herë, koreanoveriorët po e vlerësojnë gabim ndikimin që kanë.

“Në se do të isha ende në qeverinë amerikane, do të kisha rezerva për të dërguar zyrtarë të lartë amerikanë për të marrë amerikanët e burgosur. Deri në çfarë pike do ta vazhdojmë këtë? Në çfarë pike bëhen këto negociata të favorshme për koreano-veriorët, duke i lejuar ata të bëjnë shantazh ndaj Shteteve të Bashkuara në çdo moment?”

Zoti Straub tha se muajin e kaluar një mision sekret amerikan në Korenë e Veriut për të liruar tre amerikanët nuk ishte i suksesshëm. Ai mendon se koreanët duan t’i bëjnë më shumë presion qeverisë amerikane për të dërguar një zyrtar të nivelit të lartë.

Të hënën, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki publikoi një deklaratë, ku i kërkohet Phenianit të falë zotin Bae dhe t’i jap atij amnisti në mënyrë që të kthehet në atdhe për të marr kujdes mjekësor.

Gjatë intervistës së tij, Jeffrey Fowle e quajti situatën të dëshpëruar. Ai akuzohet se la një bibël në dhomën e hotelit të tij. Ndërsa Matthew Miller akuzohet se grisi vizën dhe kërkoi azil në Korenë e Veriut. Të dy ata po presin të dalin në gjyq brenda muajit.

XS
SM
MD
LG