Lidhje

Amnesty International, dhuna ndaj romëve në Evropë në rritje


Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International thotë se shtetet evropiane kanë dështuar të ulin dhunën ndaj komunitetit të romë dhe në disa raste madje kanë nxitur diskriminimin, frikësimin dhe dhunën ndaj tyre. Sot më 8 prill me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Amnesty International publikoi një raport mbi të drejtat e romëve në Evropë në të cilin thuhet se dhuna kundër romëve është në rritje.

"Ka pasur një rritje të dukshme të rasteve të dhunës kundër romëve në Evropë në vitet e fundit. Reagimi ndaj këtij fenomeni alarmant ka qenë i papërshtatshëm”, thotë John Dalhuisen, Drejtor i Amnesty International për Evropën dhe Azinë Qendrore. Ai thotë se “është e papranueshme që në Evropën moderne disa komunitete rome jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës dhe sulmeve".

Në raport thuhet se, ndërsa në përgjithësi kanë dënuar shembujt më të fortë të dhunës kundër romëve, autoritetet kanë hezituar të njohin shtrirjen e saj dhe kanë qenë të ngadalshëm në përpjekjet për ta luftuar atë. Raporti thotë se Bashkimi Evropian ka hezituar të sfidojë shtetet anëtare mbi diskriminimin sistematik të romëve.

Raporti i Amnesty International, “Ne kërkojmë drejtësi: Dështimi i Evropës për të mbrojtur Romët nga dhuna raciste”, shqyrton dhunën e motivuar nga urrejtja dhe sulmet e kryera kundër romëve nga zyrtarë dhe qytetarë të zakonshëm në Republikën Çeke, Francë dhe Greqi, duke ilustruar shqetësimin e organizatës mbi dhunën ndaj romëve në mbarë kontinentin.

Raporti thotë se qeveritë në mbarë Evropën kanë dështuar në shumë fusha në përpjekjet për të mbrojtur romët. Në raport thuhet se diskriminimi, dëbimet me forcë nga banesat, ndarja dhe niveli i ulët i arsimimit të romëve janë normë në shumë vende të Evropës.

Amnesty International u bën thirrje qeverive kombëtare dhe Bashkimit Evropian që të angazhohen në eliminimin e diskriminimit dhe dhunës ndaj romëve në mbarë rajoni.
XS
SM
MD
LG