Lidhje

Analistët komentojnë tensionin mbi KQZ-në


Sipas tyre, rruga e vetme është që partitë të dialogojnë dhe të ulin tensionet me vullnet të mirë politik.

Vëzhgues të pavarur të shoqërisë dhe politikës shqiptare po ndjekin me shqetësim ngjarjet e fundit në KQZ me një ndërrim dhe dy dorëheqje, të cilat acarruan menjëherë marrëdhëniet mes partive. Sipas tyre, rruga e vetme është që partitë të dialogojnë dhe të ulin tensionet me vullnet të mirë politik. Nëse zgjidhet rruga e ashpër, sipas tyre, partitë ua kanë lënë vetes të gjitha hapësirat në Kodin Zgjedhor që të ndërhyjnë në proces kur të duan, dhe ky rrezik mund të shmanget në kohën e mbetur.

Opinione për tensionet politike në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00


Drejtori i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi, thotë se Shqipëria është i vetmi ballkanik që ende i ka zgjedhjet në listën e problemeve që diskuton me Bashkimin Europian dhe vende të tjera demokratike si SHBA. Sipas tij, ecejaket e fundit diplomatike të vendeve dhe organizmave perëndimore tregojnë se ekziston një shqetësim i ndërkombëtarëve mbi cilësinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai shpreson se këto zgjedhje do të jenë një pikë kthese në tranzicionin politik shqiptar.

Vëzhgues të pavarur të procesit zgjedhor thonë se zgjidhja nuk është që KQZ të vazhdojë punën me 5 anëtarë, por që partitë të ulen dhe të gjejnë mirëkuptimin në kohën e mbetur.

Drejtuesi i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, Premto Gogo, thotë se ndryshimet e fundit në KQZ dëshmojnë se gjithçka është në dorë të partive politike, dhe vullneti i tyre mbizotëron në procesin zgjedhor.

Ndërsa drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, thotë se edhe PD abuzoi me ligjin kur ndërroi një komisioner të ardhur nga LSI, ashtu edhe PS mund të shkelë tani afatin 48 orësh me sjelljen e dy kandidaturave për të zëvendësuar dorëheqjet në KQZ.

Ajo mendon se situata në KQZ është tepër e rënduar, pasi u shkel pavarësia e tij me shkarkimin e një anëtari.

Këta vëzhgues nga shoqëria civile pohojnë me shqetësim se partitë politike janë të gatshme që të krijojnë ngërçe nëpër institucione sapo e shohin që nuk e kanë situatën në favor. Sipas tyre, edhe kodin zgjedhor partitë e kanë bërë të tillë që ato të ndërhyjnë në çdo çast dhe gjithçka të varet nga vullneti i tyre, por ato janë duke abuzuar me vullnetin e tyre politik dhe me mundësinë që kanë për të ndërhyrë në procesin zgjedhor.
XS
SM
MD
LG