Lidhje

Anketë për kandidatët presidencialë


Një anketë e re tregon se miliarderi Donald Trump kryeson mes kandidatëve republikanë me një diferencë të konsiderueshme në tre shtete të rëndësishme për zgjedhjet presidenciale të 2016.

Ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton vazhdon të kryesojë në kampin demokrat, por me një epërsi më të vogël se më parë. Rezultatet i shpalli Universiteti Quinnipiac pas një ankete me votuesit ditët e fundit.

Anketa u zhvillua me zgjedhësit në shtetet Ohajo, Pensilvani dhe Florida, të cilat kanë një peshë të konsiderueshme në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Që në vitin 1960 asnjë kandidat presidencial nuk ka arritur fitoren përfundimtare pa siguruar fitore në të paktën dy nga këto tre shtete të mëdha.

Anketuesit thonë se Donald Trump, i cili dallohet për stilin ekstravagant, shpesh me komente ofenduese për konkurrentët e tjerë, shihet pozitivisht nga 23% e të anketuarve republikanë në Ohajo, ndërsa ish-neurokirurgu gjen mbështetje tek 18% e votuesve, pasuar nga guvernatori i këtij shteti John Kasich.

Në shtetin Pensilvenia, zoti Trump gëzon mbështetjen e 23% të republikanëve, pasuar nga zoti Carson me 17% dhe Senatori nga Florida Marco Rubio. Republikanët në Florida mbështesin në masën 28% zotin Trump, pasuar nga zoti Carson me 16% dhe Senatori i tyre Marco Rubio me 14%.

Në kampin demokrat, ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton kryeson në të tria shtetet, pasuar nga Senatori Bernie Sanders, një demokrat me prirje socialiste, i cili ka zhvilluar fushatë me sulme kundër bizneseve të mëdha. Në vend të tretë në anketa është nënpresidenti Joe Biden, i cili nuk është përfshirë ende në garë.

XS
SM
MD
LG