Lidhje

OSHEE financon investimet e veta


Në Tiranë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur të financojë investimet e veta sapo gjendja e tij financiare u përmirësua me arkëtimet e faturave të vjtra.

Administratori i Kompanisë, Ardian Çela, thotë se gjendja teknike e rrjetit elektrik është e rëndë prej shkatërrimit të viteve dhe ndërhyrjeve të shumta abuzive.

Ai tha se zona Tiranë – Durrës ka konsumin dhe humbjet më të mëdha, por kompania po investon në të gjithë territorin, sipas një plani rimëkëmbjeje, të hartuar me Bankën Botërore.

Intervistë me Adrian Çelën, OSHEE
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:07 0:00

​Zëri i Amerikës: Në fillim, një pyetje për faturat e prapambetura të energjisë. Ju gjetët një situatë të vështirë. Sa keni arritur të mblidhni nga faturat e printuara, duke lënë një herë mënjanë energjinë e pafaturuar?

Ardian Çela: Ka një përmirësim të ndjeshëm të pagesave nga abonentët. Të ardhurat e kompanisë janë rritur ndjeshëm si nga pagesat e prapambetura ashtu edhe nga masat e tjera administrative. Ndergjegjësimi i qytetarëve është rritur po ashtu. Abonentët familjarë po i përgjigjen faturës korente 0-30 ditë deri në 70-72 për qind. Në 0-90 ditë niveli i pagesave është 92-93 për qind. Jemi në niveln afër synimit të këtij viti. Vitin e ardhshëm synimi është të shkojmë në 95 për qind. Këto është një shifër e paimagjinueshme në vitet e kaluara, por as në periudhën nëntor-dhjetorin e kaluar, kur ne përgatitëm planin e veprimit për rimëkëmbjen e kompanisë. Për ne është një rezultat surprizues i punës së punonjësve të OSHEE-së për të evituar abuzuesit, lidhjet e paligjshme, difektet etj.

Zëri i Amerikës: Cilat janë planet tuaj mbi përdomin e këtyre parave?

Ardian Çela: Paratë që po mbledhim nga faturat ne po ua kthejmë përsëri qytetarëve me një seri investimesh që kanë nisur dhe që janë gati për t'u nisur. Faza e parë e tyre përfundon ndërmjet muajve dhjetor dhe shkurt. Ato do të japin menjëherë efekt në cilësinë e shërbimit me energji, në uljen e humbjeve teknike dhe jotektike. Arkëtimet e kompanisë për muajin korrik - të ardhurat në total arritën 5.1 miliardë, nga të cilat për faturën korente ishin diku 4.9 miliardë lekë. Krahasuar me 2014 jemi 1.4 miliardë më shumë se sa një vit më parë, dhe 1.7 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e 2013. si 7-mujor, nga 1 janar deri në 31 korrik kemi shënuar 40 miliardë lekë arkëtime nga fatura korente, pa futur këtu të ardhurat nga lidhjet e reja. Edhe muaji gusht, i cili e kishte planin e të ardhurave 4.3 miliardë lekë, në fakt u arritën 5.07 miliardë lekë arkëtime nga faturat. Këto tregues janë 17 miliardë më shumë se 2013 apo 13 miliardë më shumë se 2014. në tërësi janë rreth 100 milionë dollarë më shumë se 2014 dhe 140 milionë dollarë më shumë se 2013.

Zëri i Amerikës: Sa është niveli i humbjeve të energjisë elektrike dhe si po i shmangni ato?

Ardian Çela: Ne kemi regjistruar në muajin korrik nivelin e humbjeve në 30.6 për qind, ndërsa si 7 mujor jemi në nivelin 32.1 për qind. Synimi ynë është mesatarja vjetore e humbjeve do të jetë rreth 31.8 për qind. Krahasuar me 2014, humbjet ishin rreth 39 për qind, ndërsa në 2013 humbjet ishin 45 për qind. Në situatën aktuale kompania nuk ka asnjë nevojë për t'iu injektuar të ardhura nga buxheti i shtetit, sepse është e vetë-financueshme. Kompania mund të financojë vetë blerjen e energjisë - deri në korrik jemi 40 milionë euro më pak blerje energjie për konsum nga importi, dhe këto para po investohen në infrastrukturë, jo vetëm në riparimin e difekteve por edhe në rifreskimin e atij sistemi energjitik tejet të kalbur që kemi sot në Shqipëri. Në shumë cepa të vendit mjafton një erë, një shi apo një fortunë ndodhin difekte, sepse sistemi që ne kemi trashëguar në këto zona është shumë i dobët. Në fakt, aty nuk ka sistem energjitik, atje ka vetëm tela elektrifikimi, tela që janë qysh në kohën e elektrifikimit. Kësaj gjednjeje ne po i përgjigjemi me një plan të qartë investimesh që kemi nisur për një peirudhë 3-vjeçare, kemi llogaritur nevojat që do të ketë ky sistem, ku duhet të insistojë kompania dhe fitimin për sa kohë këto investime do të na kthehen mbrapsht si të ardhura dhe pakësim humbjesh, dhe si përmirësim të cilësisë së shërbimit, që është kryesori, me tensionin normal, sipas standartit.

Zëri i Amerikës: Sa janë ulur humbjet jo-teknike? Sa ndikojnë ato në gjendjen e kompanisë?

Ardian Çela: Nga nëntori i kaluar kompania ka nisur një operacion të përditshëm për prerjen e lidhjeve të paligjshme, matësat e dëmtuar, vendosjen e matësve të rinj në banesa pa matës, investimet e reja me sistemin ABC, i cili nuk lejon ndërhyrjet në rrjet për vjedhje. Nga dhjetori kemi instaluar rreth 45 mijë matës, deri në dhjetor kemi në plan të instalojmë rreth 60-70 mijë matës të tjerë njëfazorë e trefazorë. Brenda 6-mujorit të parë të vitit tjetër 2016, sipas afatit ligjor dhe vendimit të ERE-s, por ne besojmë se mund ta arrijmë më shpejt, nuk do të ketë më faturim aforfe. Çdo abonent do të ketë matësin dhe faturimi aforfe do të zhduket.

Për humbjet teknike, gjithë riparime dhe investimetë fundit, po bëhen me teknologji moderne, sistemi SKADA, apo sisteme të tjera për monitorimin në distancë apo në kohë reale të ngarkesave të rrjetit. Kemi nisur investimet në sistemin e nënstacioneve sepse ato janë një nga hallkat më problematike. Ato janë tej mase të vjetër, të amortizuar, në moshë mesatare 38-40 vjeçare, ndaj edhe atje po investojmë.Po ashtu po investojmë një projekt online në marrëdhëniet me klientin. Kompania do të instalojë bankomatë në çdo qytet dhe ata mund të bëjnë pagesat, mund të aplikojnë, mund të shohin fazën e shqyrtimit të ankesave, zyrtarin që po e zgjidh, dokumentacioni, të shohin gjendjen e llogarisë së tyre etj. Të gjitha këto mund të bëhen edhe nga kompjuteri i shtëpisë.

Zëri i Amerikës: A mund të tregoni një gjeografi të dëmtimeve, në cilat zona rrjeti është më i vjetër? Ku po investoni më shumë, sepse edhe popullata ka lëvizur shumë?

Ardian Çela: Gjeografia është gjithëpërfshirëse. Po të merrni listën e investimeve që po kryejmë, ajo është nga Shkodra deri në Sarandë, nga Durrësi deri në Korçë. Zonat më problematike janë investuar më shumë. Njëlloj si i sëmuri, që në fillim ndalet hemoragjia, pasatj kurohet. Pjesa e luanit në këto investime është përqëndruar në zonën e Tiranës sepse kjo përfaqëson 37 për qind të konsumit dhe 37-40 për qind të humbjeve të energjisë në rang republike. Pastaj ëhstë zona e Durrësit që është rreth 14 për qind. Pastaj është pjesa Shkodër-Fier-Vlorë, dhe i gjithë ky aks që përmendëm është rreth 70 për qind e konsumit dhe e humbjeve në rang vendi.

Por nuk kemi lënë pas dore zonat e rregullta që paguajnë rregullisht dhe që nuk kanë difekte si Korça, Gjiroakstra dhe Elbasani. Ne po investojmë në Gjirokastër, Sarandë, me fidera, me nënstacione, ne kabina, që të rregullojmë cilësinë e shërbimit të energjisë. Nuk po investojmë vetëm atje ku ka humbje. Ne po investojmë edhe në zonën e Kukësit, Tropojës.

Ne kemi caktuar edhe investimet për dy vitet e ardhshme të cilat janë një rinovim total i nënstacioneve, të cilat janë 174 dhe prej tyre vetëm 10 janë relativisht të reja- 20 vjeçare- ndërsa pjesa tjetër jaë shumë të vjetra. Po flasim vetëm për investimet me fondet e kompanisë, pa përfshirë ato nga banka Botërore. Në dy vitet e ardhshme kompania do të investojë rreth 220 milionë dollarë. Deri në fund të vitit 2016, sipas planit të rimëkëmbjes energjitike të hartuar me Bankën Botërore, ne duhet ta kemi ulur nivelin e humbjeve teknike dhe joteknike në 26 për qind, dhe në 2017 e me radhë çdo vit të ulet me 5 për qind. Në 2018 duhet të kemi arritur humbje deri 16-17 për qind. Nuk janë vetëm tela, kabina dhe transformatorë, por janë edhe teknologji të reja, që po i futim në përdorim.

Zëri i Amerikës: Si është bashkëpunimi juaj me KESH, OST dhe me shtetet fqinje, Kosova, Maqedonia etj?

Ardian Çela: Këto janë linjat e interkoneksionit, që i takojnë OST-së. Shqipëria ka qenë e kufizuar me vetëm dy linja interkoneksioni; me Greqinë dhe Malin e Zi. Ka nisur puna dhe brenda vitit tjetër do të jetë aktive linja e interkoneksionit me Kosovën, investim që po kryen OST- ja me ndërmjetësinë e fondit KFV, një investim i vonuar, e dimë arsyen e vonesës, por duhet të ishte aktiv në këtë periudhë.

Në Samitin e Vienës u aprovua dhe linja e interkoneksionit, që do të bëhet me Maqedoninë dhe Shqipëria ka lidhje me gjithë rajonin, pra është në sistemin rajonal: me Maqedoninë linja 400 kvv, me Kosovën, Malin e Zi dhe Greqinë, Shqipëria është e kompletuar sa i përket interkoneksionit dhe kapaciteteve që mund të marrë, të lëvizë, të importojë apo dhe të eksportojë energji. Për sa i përket bashkëpunimit me OST, vlen të përmenden edhe investimet që po bëhen në jug të vendit, në zonën e unazës së jugut dhe perfshin zonën nga Saranda, gjithë bregdetin dhe deri në Korçë, dhe 2 nënstacionet, një në Himarë dhe një në Orikum, dhe ne aty po ndërhymë.

Kemi që në shtator me investime të tjera, që do t'i përgjigjemi brenda 2017 merr fund e gjithë panorama me gjithë ato problematika që janë dëgjuar dhe që kanë vite që dëgjohen për zonën turistike të Shqipërisë: nuk do të dëgjohen më. Por gjendja më e mirë do të paraqitet verën e ardhshme në sajë të gjithë këtyre investimeve që po bën OST në bashkëpunim edhe me OSHEE. Pra, ka një bashkëpunim të pandarë mes 3 komponentëve, KESH, OST, OSHEE. Me KESH demonstrimi më i mirë është sidomos periudha e dimrit, nga shkurti deri në qershor i këtij viti e marrëveshjes që ne bëmë me KESH në rastin e tepricave, që kishte KESH, një marrëveshje që solli një përfitim nga të dyja anët dhe për OSHEE, që e blinte me çmim burse, jo me çmim importi dhe në fund KESH pati një fitim që është deklaruar tashmë, dhe OSHEE pati një kursim, po ta kishte blerë në tregun e lirë, rreth 15 milionë euro. Bashkëpunimi mes tre kompanive është i plotë dhe i padiskutueshëm, Rezultatet kanë filluar të shihen. Sa i takon unazës energjitike të jugut, nga ky bashkëpunim, ajo zonë zgjidhet përfundimisht, sepse tani që flasim atje nuk kalon as linja 110 kvv, as 20 kvv, por ka vetëm një linjë 35 kvv e fillim-viteve 1970.

XS
SM
MD
LG