Lidhje

Bateria e së ardhmes


Në vitin 2012, Zyra e Shkencës e Departmentit të Energjisë, i dha një grant prej 120 milionë dollarësh një qendre të re teknologjike për krijimin e baterive, në Laboratorin Kombëtar të Argonit në Çikago. Qendra e Përbashkët për Studimin e Ruajtjes së Energjisë bashkon shkencëtarë dhe inxhinierë nga qeveria, laboratorët kombëtarë dhe industria duke u siguruar atyre mjetet, fondet dhe ambjentet për zbulime të reja që çojnë në kursimin e energjisë.

Më të vogla, më të lehta dhe me më shumë jetëgjatësi. Këtë duan konsumatorët tek bateritë që përdorin për objektet personale elektronike.

Në Qendrën e Përbashkët për Studimin e Ruajtjes së Energjisë, ose JCESR studiuesit shpresojnë t’i plotësojnë këto kërkesa.

Në këtë vend, është shpikur teknologjia e baterisë me ion litium, por shkencëtarët dhe inxhinierët e kësaj qendre, po punojnë për objektiva më të mëdha dhe më të vogla.

“...Energji pesë herë më e dendur, me një të pestën e kostos”, thotë zëvendës drejtori Jeffrey Chamberlain, i cili shton se e gjitha kjo do të realizohet për pesë vjet.

Ceularët, thotë ai, janë paisjet ku ky ndryshim do të bjerë në sy në fillim.

“Në vend që të karikohen cdo ditë, ato mund të karikohen një herë në disa ditë, ose një herë në javë. Ose nga një kapacitet të kufizuar energjie, mund të kalojmë në një sasi energjie të paimagjinueshme”.

Zoti Chamberlain thotë se synimi final është të ndryshohet tregu botëror i automjeteve.

“Misioni kryesor është të grumbullojmë energji me efektivitet kostoje dhe pa rrezikshmëri, në mënyrë që të konkurrojmë motorin me djegie, duke përdorur elektricitet ose përcjellje elektrike”.

Drejtori i Divizionit të Sistemeve me Energji Argoni, Don Hillebrand thotë se është e thjeshtë të bësh për vete konsumatorët për objekte elektronike me më shumë kapacitet, por kërkesa ndryshon kur bëhet fjalë për makinat.

"Disa konsumatorë duan makina krejtësisht elektrike. Debati i madh është se sa të tilla ka aktualisht? Numri ndryshon në bazë të cmimit të benzinës. Kur arrin benzina të bëhet aq e shtrenjtë saqë t’i bëjë konsumatorët t’u drejtohen makinave me sistem elektrik?”

Zoti Hillebrand thotë se shifrat e shitjeve këtë vit, rreth 10 mijë makina elektrike cdo muaj në Shtetet e Bashkuara, janë nën nivelin e dëshiruar nga industria, por se bateria që po zhvillon qendra mund ta ndryshojë gjendjen.

“Po shfaq rritje të qëndrueshme. Ai numër pritet të jetë 10 herë më i lartë, që të mund ta quajmmë këtë program të suksesshëm, dhe për të arritur këtë synim, duhet që bateria të plotësojë ato kushte që duam ne”.

Por nëse zhvillimi i baterisë është i suksesshëm dhe shitja e makinave elektrike rritet, do të rritet kërkesa për rrjetin aktual elektrik që ato të mund të rikarikohen, një problem me të cilin po merren shkencëtarët dhe studiuesit e qendrës, duke zhvilluar një bateri në shkallë të gjerë për rrjetin.

XS
SM
MD
LG