Lidhje

Armatosja e kurdëve të Irakut


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel thotë se shtatë qeveri evropiane kanë rënë dakord për t'u bashkuar me Shtetet e Bashkuara në furnizimin me armë të forcave kurde që po ndeshen me ekstremistët e shtetit islamik në veri të Irakut. Shqipëria është njëri prej këtyre vendeve.

Në një deklaratë, Pentagoni thotë se Britania, Kanadaja, Shqipëria dhe Kroacia do t'i bashkohen Danimarkës, Italisë dhe Francës për të siguruar armatime "urgjentisht të nevojshme" për kurdët.

Xhihadistët e shtetit islamik morën sipërfaqe të mëdha të Irakut verior dhe perëndimor në qershor. Në fillim të këtij muaji ata sprapsën forcat kurde drejt kryeqytetit të tyre rajonal, Irbil.

Dje, udhëheqësi kurd Masud Barzani, president i rajonit gjysmë-autonom kurd të Irakut, u takua në Irbil me ministrin e jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

"Populli irakian ka nevojë për ndihmë, duke përfshirë ndihmë për t'u mbrojtur, por jo për trupa në terren. Ne nuk kemi ushtarë në Irak, ne nuk synojmë të dërgojmë atje ushtarë. Ne besojmë se milicia Peshmerga në Kurdistanin irakian si dhe vullnetarët e Irakut dhe ushtria e rregullt janë mjaft të aftë për të mbrojtur territorin e tyre," tha ministri i Jashtëm iranian.

Nga ana e tij zoti Barzani tha se Irani ishte i pari që u dha ndihmë ushtarake luftëtarëve që kur filloi ofensiva e shtetit islamik.

Ndërkohë, diplomatë të nivelit të lartë nga Irani dhe Arabia Saudite - dy fuqi rajonale me mosmarrëveshje sektare - u takuan për bisedime që zyrtarët thonë se përfshinin edhe kërcënimin në rritje që vjen nga militantizmi i Shtetit Islamik. Zëvendës ministri i jashtëm i Iranit, i përshkroi bisedimet si "pozitive dhe konstruktive."

Vizita në Jeddah e Zëvendës Ministrit të Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian ishte takimi i parë i nivelit të lartë mes dy vendeve që nga zgjedhja në Iran e presidentit Hassan Rouhani vitin e kaluar. Zoti Rouhani ka premtuar se do të përmirësojë marrëdhëniet diplomatike të Iranit me fqinjët arabë.

XS
SM
MD
LG