Lidhje

Arrestimi i Abdeslam, një goditje e fortë për organizatën terroriste


Franca po i kërkon Belgjikës ekstradimin e shpejtë të të dyshuarit kryesor për sulmet terroriste të 13 nëntorit në Paris. Pas arrestimit të Salah Abdeslam, Interpoli ka këshilluar një rritje të vigjilencës në pikat kufitare për të parandaluar një largim të mundshëm nga Evropa të bashkëpunëtorëve të tjerë.

Salah Abdeslam u plagos dhe më pas u arrestua dje gjatë një aksioni të policisë në Bruksel, pas katër muajsh kërkimesh.

Tre persona të tjerë u arrestuan me akuzën se e patën ndihmuar të fshihej gjatë kësaj periudhe.

“Megjithëse ky është një arrestim i rëndësishëm, nuk përbën hapin përfundimtar. Ka patur arrestime të tjera dhe duhet të arrestohen edhe të tjerë, pasi e dimë që ky rrjet ka qenë mjaft i gjerë,” u shpreh Presidenti francez Francois Hollande.

Vëllai i Salah Abdeslam ishte njëri ndër terroristët që hodhën veten në erë gjatë masakrës së Paris, kur u vranë 130 persona.

Që prej muajit nëntor, 11 persona janë arrestuar dhe akuzuar në Belgjikë në lidhje me këto sulme. Tetë prej tyre vazhdojnë të jenë nën arrest.

Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, Salah Abdeslam, mori trajtim mjekësor gjatë natës në një spital të Brukselit, për një plagosje të lehtë në këmbë që ndodhi gjatë operacionit për arrestimin e tij. Më pas, autokolona e policisë belge e zhvendosi atë nga spitali drejt një vendndodhjeje tjetër.

Një përfaqësues i tij ligjor ka njoftuar se Salah Abdeslam po bashkëpunon me autoritetet policore belge, por do të refuzojë ekstradimin drejt Francës. Autoritetet franceze shpresojnë se ekstradimi i Abdeslam do të qartësojë rolin e tij gjatë sulmeve terroriste, si dhe do të hedhë më shumë dritë për rrethanat e sulmeve në Paris.

Presidenti francez thirri sot në një mbledhje urgjente këshillin e mbrojtjes kombëtare. Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, foli pas mbledhjes:

“I ndodhur nën arrest nga autoritetet belge së bashku me katër të tjerë, Salah Abdeslam do t’i duhet të përgjigjet përpara drejtësisë franceze për aktet e tij. Vendosja e drejtësisë është ajo çfarë presin familjarët e viktimave dhe të gjithë shtetasit francezë. Qeveria është e vendosur t’i shkojë deri në fund zbardhjes së sulmeve. Kjo është një goditje e rëndësishme ndaj aktivitetit në Evropë të organizatës terroriste Daesh.”

Qeveria franceze konfirmon se për t’u përballur me kërcënimin terrorist që vazhdon të jetë i nivelit të lartë, do të vazhdojë ndërkohë të mbajë nivelin më të lartë të gatishmërisë të forcave të sigurisë.

XS
SM
MD
LG