Lidhje

Sistemi universitar në Shqipëri


Dy pedagogë diskutojnë për çështjet që shqetësojnë sistemin universitar

Në Shqipëri fillon pas pak ditësh viti i ri akademik për studentët universitarë. Në mbi 20 vjet tranzicioni, sistemi universitar ka pësuar ndryshime, të cilat nga njëra anë kanë rritur konkurrencën brenda vendit dhe kanë liberalizuar pranimet në universitet, por nga ana tjetër sipas ekspertëve kanë krijuar një amulli përsa i takon varësisë financiare, standarteve akademike dhe krahasueshmërisë me institucione të ngjashme jashtë vendit. Kolegët Keida Kostreci dhe Ilirian Agolli i hedhin një vështrim kësaj çështjeje.

Arsimi i lartë në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:49 0:00

Studentët kanë disa alternativa për të ndjekur studimet në Shqipëri, por nuk ka një standart të qartë për arsimimin që ata marrin dhe sesa konkurrent është ai. Ekspertët mendojnë se është urgjente nevoja për një sistem që t’i qëndrojë kohës. Artur Elezi, është profesor i asociuar matematike në Universitetin Amerikan në Uashington.

“Ka ardhur koha që përmes një diskutimi të gjerë të arrihet një herë e mirë një pakt kombëtar, që duke shfrytëzuar praktikat botërore më të mira dhe veçoritë tona kombëtare të vendosim mbi formën e organizimit të sistemit të edukimit të nivelit të tretë, pra të nivelit të edukimit pas shkollës së mesme”.

Klodeta Dibra, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shqipëri, është e mendimit se arsimi i lartë vuan pasojat e goditjeve të rënda që gjithë arsimi ka pësuar gjatë viteve të tranzicionit. Ajo thotë se edukimi nuk duhet të preket nga ngjyrimet politike.

“Që të bëjmë një reformë të sistemit arsimor duhet të mendojmë pa partishmëri, duhet të mendojmë për një brez të ri qytetarësh evropianë të cilët t’u përshtaten këtyre sfidave të kohës, t’i përballojnë me shumë sukses”.

Zoti Elezi mendon se klima e përgjithshme e mosbesimit ndaj politikës e bën edhe më të domosdoshme ndërtimin e institucioneve mbështetur mbi idenë e ekspertëve dhe pavarësisë.

“Mendoj se një sistem dinamik, një sistem që plotëson nevojat e tregut, një sistem që është profesional arrihet më mirë nëse ndërtohet mbi bazën e konkurrencës së institucioneve autonome dhe të shkëputura nga ndikimi i politikës”.

Kjo sipas tij realizohet nëse universitetet kanë në dorë kapacitetet materiale, pedagogjike, shkencore dhe financiare dhe përcaktimin e degëve të studimit, numrin e studentëve dhe shpërndarjen e tyre, si edhe të pedagogëve sipas lëndëve.

Profesore Dibra thotë se kushtetuta parashikon pavarësi akademike dhe ligji parashikon pavarësi financiare por ajo shton se në praktikë kjo nuk zbatohet.


“Përsa kohë ka hallka burokratike të cilat e pengojnë zhvillimin, hallka që nuk e lejojnë këtë autonomi, atëherë normalisht që ecja do të jetë e ngadaltë”.

Për profesor Elezin, i cili ka dhënë për disa vite mësim në Universitetin e Vlorës, gjatë muajve të verës, një nga problemet ka qenë masivizimi i arsimit të lartë, të cilin ai e sheh si një ide progresive por problematike pasi përbën trysni për kapacitetet pedagogjike dhe nevojat e ardhshme profesionale. Zoti Elezi e sheh këtë si nënprodukt të një problemi më madhor.


“Nëse do të ekzistonte një institucion i pavarur, i fuqishëm akreditimi, do të ishte shumë më e vështirë që të pranohej ky koncept masivizimi në praktikë”.

Ai thotë se një organizëm i tillë duhet të ishte jashtë qeverisë, për të matur rezultatet dhe suksesin e çdo universiteti, qoftë publik, edhe privat, mbështetur në kritere që përputhen me praktikën ndërkombëtare.

“Është e domosdoshme, ndërhyrja është urgjente për të rivlerësuar të gjitha institucionet. Të rivlerësojmë edhe Tiranën, që të rivlerësojmë edhe të tjerat dhe kjo do të ndihmonte pikësimin. Duke u vënë pikë universiteteve atëherë u kemi bërë edhe rankimin (radhitjen)”.

Kjo, thotë profesore Dibra do të ndihmonte edhe në mundësinë e transferimit të studimeve, pasi përndryshe është e padrejtë që studentët të shkojnë në institucione ku diploma është formale dhe nuk u jep qasje në tregun e punës.
Përsa i takon universiteteve private, zoti Elezi thotë se duhen hartuar procedura të qarta për liçencimin e institucioneve private të arsimit të lartë. Për profesore Dibrën, hapja e një institucioni privat është pozitive sepse nxit konkurrencën, por problemi është mungesa e një rivlerësimi të institucioneve publike dhe private. Ajo propozon ribërjen e ligjit për arsimin e lartë.


“Përsa kohë kemi amulli, përsa kohë kemi mosrespektim të ligjit, përsa kohë kemi ligje të cilat janë shumë të dyshimta dhe të vështira për interpretim, përsa kohë kemi një treg të tillë universitar, do të zërë vend edhe korrupsioni, do të zërë vend edhe manipulimi”.

Profesor Elezi thotë se përgjegjësia dhe kompetenca duhet të shkojnë atje ku maksimizohet suksesi.

"Besoj se ekipet drejtuese të universiteteve duke u ndjerë përgjegjës, duke pasur kompetenca dhe duke qenë se do të vlerësohen nga instutucioni akreditues, do të jenë mjaft të interesuar për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet që institucioni i tyre të dalë i suksesshëm në vlerësim”.

Viti i ri akademik për arsimin e lartë në Shqipëri hapet në fillim të javës së ardhshme.

XS
SM
MD
LG