Lidhje

Përvjetori i parë i Papa Françeskut


Ka qenë një vit befasues që kur Benedikti i XVI-të u bë papa i parë në disa shekuj që dha dorëheqjen, mes akuzave skandali dhe keq menaxhimi në Vatikan, dhe u zëvendësua nga papa i parë nga kontinentet amerikanë. Papa Françesku ngjalli shpresa se kisha katolike do të ndryshonte, por sa u realizuan ato?

Një kishë e ndërtuar mbi kolona të tilla të forta duket se mund të tronditet vetëm nga një supermen, siç e portretizoi një artist në Romë papën e tanishëm.

Por është gabim të mendosh se një individ i vetëm mund të transformojë këtë institucion dy mijë vjeçar, thotë studiuesi amerikan jezuit John Conley.

“Unë nuk besoj në teorinë e ‘njeriut të madh’ në histori, që një person shfaqet papritur dhe pa ndonjë lidhje me rrethanat e tjera, të mund të përmbysë gjithçka.”

Por papa i tanishëm ka tërhequr turma të mëdha në Sheshin e Shën Pjetrit dhe po bën katolikët tradicionalë të mendojnë ndryshe.

“Unë mendoj se ai po i bën thirrje Kishës që të ndjekë gjurmët e tij si Papë, atë që ai bëri si arkipeshkv, duke lëvizur me autobus, duke shkuar në treg, duke përdorur mikrofonin dhe duke u bërë gati për protestë.”

Papa ka treguar që është një përkrahës i të varfërve, thotë John Carr, ish-këshilltar i Konferencës së Peshkopëve katolikë të SHBA.

Zoti Carr ka udhëhequr diskutime në Universitetin Georgetown në Uashington mbi papën e ri dhe kujton një koment nga ish-këshilltari republikan presidencial Michael Gerson.

“Ai thotë:’Unë mendoj se Papa juaj i ri është një ngatërrestar.’ Ai tha se nuk ka asgjë më të rrezikshme ...”

Dokumenti i këshillave të papës prej 220 faqesh, i cili u paraqit vjeshtën e kaluar në një konferencë shtypi në Vatikan thoshte se të mos ndash me të varfrit është vjedhje. Kjo i zemëroi përkrahësit e tregut të lirë.
Pas kthimit nga vizita e tij e parë jashtë Vatikani, papa Françesku foli me dhembshuri për homoseksualitetin.

“Nëse një person është homoseksual dhe kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë ta gjykoj atë?”

Ai ka marrë masa edhe në frenimin e bankës së Vatikanit dhe caktimin e më shumë kardinalëve jo-evropianë.

Por mos prisni që Papa të pranojë klerike femra apo planifikimin familjar përmes kontraceptivëve, thotë zoti Carr.

“Unë mendoj se në qoftë se njerëzit presin që ai të ndryshojë dekada mësimdhënieje, ata do të mbeten shumë të zhgënjyer.”

Ai pranon se shumë nga ajo që papa Françesk ka sjellë është ndryshimi i stilit.
Por stili mund të jetë aq i rëndësishëm sa edhe përmbajtja në një kishë që e do simbolizmin.
XS
SM
MD
LG