Lidhje

"Vieuxtemps", një violinë e rrallë dhe e çmuar


Kur shumë prej nesh mendojmë rreth objekteve të çmuara, në shumicën e rasteve na vijnë në mendje gurët e çmuar ose pikturat më të famshme. Por disa violina të rralla të frymëzojnë po aq shumë dhe kanë të njëjtat çmime astronomike si edhe thesaret e tjerë.

Violina, së cilës i bie virtuozja amerikane Anne Akiko Meyers, ka një vlerë prej 16 milion dollarësh. Ajo është prodhuar në Itali në vitin 1741 nga lutajo Guarneri del Gesu dhe përfaqëson kulmin e artit të prodhimit të violinave. Zonja Meyers thotë se asnjë instrument tjetër nuk krahasohet me të.

“Notat janë shumë të pasura. Mund të tingëllojë si një violinçel...një notë mund të tingëllojë sikur të jesh në një katedrale madhështore dhe dëgjon jehonën e muzikës.”

E quajtur “Vieuxtemps” sipas emrit të violinistit të madh të shekullit të XIX-të, i cili e kishte në pronësi, kjo violinë është vetëm një nga instrumentët tepër të rrallë antikë që arrijnë në sallën e ekspozitave të Paolo Alberghinit në Manhattan.

“Zakonisht në këtë kasafortë mund të kemi instrumentë me vlerë nga pesë milion deri në pesëdhjetë milion dollarë.”

Zoti Alberghini thotë se Vieuxtemps, e cila ishte e përsosur si violinë kur u krijua, është ruajtur në mënyrë gati të përsosur.
Ai shton se ata që e zotërojnë violinën janë më tepër si kujdestarë se sa pronarë.

“Dhe për të qenë pjesë e jetës së instrumentit në një mënyrë domethënëse, për ta ndarë me botën ose për ta ruajtur në mënyrë që dikush tjetër ta ndajë në të ardhmen, kjo është diçka që tërheq shumë koleksionistë të pasur.”

Shkenca i ka ardhur në ndihmë zanatit të prodhimit të violinave. Llampat ultravjollcë dhe endoskopët mund të dallojnë të çara dhe defekte të tjerë që nuk i vën re syri.

Në një punishte afër, zanatçinj të talentuar riparojnë, restaurojnë, madje edhe krijojnë instrumentët e mrekullueshëm me katër tela.
Restauruesja e talentuar Julie Reed-Yaboah kujdeset për Vieuxtemps. Ajo thotë se edhe të ashtuquajturat “të meta” në kryeveprat e Del Gesu-së i shtojnë diçka të bukur tingujve.

“Ndërsa ai u bë i moshuar, stilimi i planit harmonik të violinës u bë më ndryshe. Violinat e tij të mëvonshme kanë një stil shumë të veçantë.”

Shumë nga violinçelot dhe violinat më të rralla në botë qëndrojnë të heshtur në muze ose koleksione privatë. Por disa, si Vieuxtemps, vazhdojnë të ofrojnë kënaqësinë e muzikës së tyre.

Anne Akiko Meyers emocionon herë pas here publikun në Carnegie Hall dhe salla të tjera.
Ajo ka zotëruar dy violina Stradivari, të cilat i afrohen Vieuxtemps për nga cilësia. Megjithatë, ajo e konsideron këtë violinë si shpirtin e saj binjak. Zonja Meyers mban mend kur një dhurues anonim ia ofroi për ta përdorur gjithmonë.

“Qava si fëmijë. Njeriu e ëndërron një moment të tillë gjithë jetën. Kështu që vetëm qava. Nuk mund ta besoja. Vieuxtemps gjithmonë ka thënë se çdokush mund të luajë notat, por duhet ta lësh të këndojë. Tani unë i bie një violine të tillë dhe mendoj si një këngëtare që duhet të këndojë...”

XS
SM
MD
LG