Lidhje

Korea e Jugut: vazhdon kërkimi i qindra të zhdukurve nga mbytja e tragetit


Polumbarët jug-koreanë u përballën sot me rryma të fuqishme uji dhe vështirësi shikimi, ndërkohë që vazhdojnë kërkimin e rreth 287 njerëz të cilët ende figurojnë të zhdukur një ditë pas mbytjes së tragetit në brigjet e Koresë së Jugut.

Zyrtarët e rojës bregdetare thonë se 9 njerëz u konfirmuan të vdekur sot ndërkohë që ky numër pritet të rritet.

Ngadalësia në përpjekjet e kërkimeve ka zemëruar familjarët e viktimave që presin njoftime lidhur me fatin e njerëzve të tyre.

“Ata përsërisin të njëjtat deklarata. Nuk ka gjë të re. Ministrat dhe ligjvënësit që vijnë këtu janë kot, vetëm sa bëjnë fotografi," thotë një prej familjarëve.

Një vajzë gjashtë vjeçare është mes 179 udhëtarëve të shpëtuar deri tani, por prindërit e saj dhe motra nuk figurojnë gjëkundi. Nuk është ende e qartë nëse ka të mbijetuar brenda anijes së përmbysur. Autoritetet kanë thënë se do të përdorin vinça pluskues në përpjekje për ta nxjerrë anijen nga uji.

Trageti prej 7 tonësh u nis nga porti Incheon në perëndim të Seulit mbrëmjen e së martës për në ishullin Jeju, rreth 100 kilometra nga brigjet jugperëndimore të Koresë së Jugut. Në traget gjendeshin edhe 150 makina e kamionë.

Ende nuk është folur për shkaqet e mbytjes. Por disa të mbijetuar thanë se kishin dëgjuar një goditje me zhurmë para se anija të anohej dhe të fundosej. Ko Myung-Seok i Rojës Bregdetare thotë.

“Nëse trageti nuk do të ishte anuar, njerëzit mund të kishin shpëtuar më lehtë. Por animi prej 50 deri 60 gradësh krijoi shumë viktima. Duhet të gjejmë pse trageti u fundos menjëherë.”

Shumë pasagjerë thanë se atyre fillimisht u ishte thënë të qendronin në karriget e tyre dhe të mos përpiqeshin të shpëtonin, gjë që ka zemëruar shumë prej familjarëve të të zhdukurve. Kim Young-bung, kreu i kompanisë së tragetit kërkoi falje për katastrofën:

“U kërkojmë ndjesë të thellë familjeve të viktimave. Kompania jonë premton se do të bëjë gjithçka që të mos humbasim jetë të tjera.”

Mes udhëtarëve ishin edhe 325 gjimnazistë nga një shkollë e Seulit në një ekskursion katër ditor. Ka njoftime se një mjegull e dendur kishte mbuluar zonën mbrëmjen e së martës por nuk dihet nëse ka ndikuar për fundosjen e anijes.
XS
SM
MD
LG