Lidhje

A ka trupa ruse në Ukrainën lindore?


Ka rreth 40 mijë trupa ruse të vendosura pranë kufirit me Ukrainën. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera, ka shenja se disa trupa ruse mund të jenë tashmë në anën tjetër të kufirit, në Ukrainë.

Ekspertët perëndimorë thonë se trupat ruse përgjatë kufirit me Ukrainën janë të gatshëm për ta pushtuar atë vend, nëse Presidenti rus Vladimir Putin i jep urdhër.
Por John Schindler, specialist i zbulimit në Kolegjin e Luftës Detare Amerikane, thotë se një konflikt ka nisur të ndodhë: ajo që ai quan një "luftë speciale".

"Kjo është një strategji e përdorimit të pushtetit në një mënyrë disi të fshehtë ose klandestine, me anë të spiunazhit, të veprimeve subversive dhe terrorizmit - një mënyrë jo transparente, ndryshe nga si do të ishte përdorimi i hapur i ushtrisë. Kjo është ajo që rusët po bëjnë në Ukrainë lindore tani. Ata e bënë këtë më parë në Krime. Ata e përdorën gjerësisht këtë strategji në Gjeorgji në vitin 2008, duke paraprirë ndërhyrjen e madhe ushtarake."

Para se zoti Putin të aneksonte Krimenë muajin e kaluar, milicia proruse mori nën kontroll ndërtesa qeveritare të gadishullit dhe kërkoi mbështetjen e Moskës. Autoritetet ushtarake ruse mohuan çdo lidhje me personat e armatosur e të maskuar.

Keir Giles kryeson Qendrën Kërkimore për Studimin e Konflikteve, në Oksford të Anglisë, një organizatë që monitoron ushtrinë ruse. Ai thotë se nuk ka dyshim që ushtarë rusë ishin në gadishull në atë kohë, pavarësisht përpjekjeve për t'i bërë të padallueshëm.

"Ata hoqën nga uniformat e tyre simbolet e ushtrisë ruse dhe gjëra të ngjashme. Por nuk u treguan shumë të kujdesshëm për këtë, sepse disa prej tyre - për shembull – kishin ende emrin e tyre në uniformë. Duke kontrolluar në mediat sociale ruse, mund të gjesh saktësisht se cilët ushtarë ishin dhe sheh se në fakt ata u nisën për Krime, në fund të muajit shkurt."

Tani që Krimeja është në duart e Rusisë, vëmendja është zhvendosur në Ukrainën lindore me popullatë kryesisht rusisht-folëse. Zyrtarët rusë sërish mohojnë që trupat ruse të jenë në Ukrainë.

Por Keir Giles thotë se nuk ka asnjë dyshim për vërtetësinë e pranisë së tyre.

"Forcat ruse në Ukrainë janë duke bërë një përpjekje shumë më të madhe për të qenë më pak të dallueshëm sesa ishin në Krime. Pra, ata janë duke u përpjekur për t’u dukur të çorganizuar dhe më pak të trajnuar. Gjithashtu ata po ndërthuren në mënyrë shumë më efektive me grupet vendase që i mbështesin ata, ndryshe nga rasti i Krimesë, ku ushtarakët rusë dhe grupet lokale qëndronin të ndarë."

John Schindler Kolegjit të Luftës Detare Amerikane thotë se forcat ruse kanë qenë në Ukrainë prej disa kohësh.

"Për javë të tëra ka pasur agjentë specialë të GRU-së – pra të shërbimit ushtarak rus të zbulimit – që qarkullonin në Ukrainën lindore dhe jugore. Disa prej tyre janë parë në rajon Odessa. Këto janë grupe relativisht të vogla – me rreth 10, 20 ose 30 persona – që lëvizin në zonë, shtojnë përkrahësit vendas, shpërndajnë armë, para, etj. Kjo është pikërisht ajo që bën shërbimi ushtarak i zbulimit. Ata janë shumë të zotët për këtë dhe kanë krijuar baza prej disa kohësh."

Studiuesit Schindler dhe Giles thonë se ka prova që forcat speciale që ishin në Krime tani ndodhen në Ukrainë lindore. Zoti Schindler thotë se operacionet e fshehta ruse janë shtuar nën udhëheqjen e presidentit Putin, një ish-agjent i KGB-së sovjetike, dhe ato kanë ndikim të madh në vendimmarrje.

Dhe në qoftë se nuk kuptohet kjo gjë, thotë zoti Schindler, nuk mund të kuptohet se si Moska dhe Kremlini funksionojnë sot.
XS
SM
MD
LG