Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 24 prill?


Trojan Horse
Trojan Horse
184 pes - Akenjtë (siç quheshin grekët) hyjnë dinakërisht në qytetin e Trojës duke përdorur dhuratën e tyre (kalin prej druri), dhe vrasin banorët që i gjetën në gjumë. Masakra vazhdoi gjatë gjithë ditës.

"Gjaku rrëke përmbyti tokën,
Trojanë dhe aleatë u vranë.
Trupa të rënë nga vdekja e hidhur
Mbarë qyteti u la me gjak".

(Quintus Smyrnaeus, Posthomerica)

Trojanët, mes dëshpërimit, gjithësesi luftuan, pavarësisht të hutuar, të pa organizuara, pa udhëheqës. Me luftimet në kulmin e tyre, disa veshën uniformat e akeasve të vrarë dhe kryen kundërsulme të papritura në luftime kaotike nëpër rrugët e qytetit. Trojanë të tjerë mbi çati hidhnin tjegulla, gurë e çdo mjet të fortë poshtë mbi pushtuesit. Por çdo gjë ishte pashpresë; përfundimisht mbrojtësit e mbetur gjallë u shkatërruan së bashku me qytetin - vetëm pak trojanë mundën të iknin për të krijuar qytetërime të reja, sipas traditës.

1800 - SHBA, themelohet Biblioteka e Kongresit - presidenti Xhon Adams miraton një fond 5000 dollarë për të blerë libra të veçantë që mund ishin të nevojshëm për përdorim nga ligjvënësit. Librat u porositën në Londër, Angli. Më 1814, ndërtesa e Kongresit dhe librat u dogjën plotësisht pikërisht nga britanikët. Biblioteka e Kongresit, në kryeqytetin amerikan, ka sot 23.592.066 libra të kataloguar.

1877 - Fillon lufta ruso - turke kur Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane - ishte në fakt konflikt midis Perandorisë Osmane dhe Koalicionit Ortodoks Lindor. Luftimet u zhvilluan në Kaukaz e pastaj në Ballkan nën atmosferën e krijuar nga nacionalizmi i shekullit të 19-të.

Faktorët shtesë të luftës ishin edhe shpresat ruse për të rimarrë territoret e humbura gjatë Luftës së Krimesë, si dhe për vendosjen e kontrollit në rajonin e Detit të Zi, dhe shtrirjen e ndikimit në Ballkan.

Lufta ruso - turke solli ndryshime edhe mes shqiptarëve; ata mësuan se perandoria Osmane nuk ishte e pathyeshme; dhe së dyti, trojet e tyre nën perandori nuk ishin aq të mbrojtura ndaj rrezikut të gllabërimit nga vendet fqinje - shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit (1878) - kuptimi i gjendjes solli ndryshimin e mendësisë që i futi shqiptarët në udhën drejt pavarësisë.

Gjithashtu, Lufta ruso - turke shkaktoi një ndryshim tjetër; atë mes emblemave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmë Hënës së Kuqe, ndarje e cila vazhdon sot e kësaj dite. Rusia dhe Perandoria Osmane kishte nënshkruar Konventën e parë të Gjenevës (1864), e cila e bëri Kryqin e Kuq emblemën mbrojtëse për personelin ushtarak mjekësor, të plagosurit, dhe robërit e luftës. Por Kryqi u kujtonte osmanëve kryqëzatat, kështu që e zevendësuan atë me Gjysmë Hënën e Kuqe; simbol i shoqatave të tilla ndihmëse në shumicën e vendeve myslimane - më vonë Gjysmë Hëna e Kuqe u ratifikua si emblemë mbrojtëse nga Konventat e Gjenevës në vitin 1929 dhe përsëri në vitin 1949.


1894 - Çiklisti francez Henri Desgrange vendos rekord botëror në garën 100 km, duke e përfunduar atë në 2 orë 39 minuta e 18 sekonda.

1915 – Armeni: Dita e Dëshmorëve - turqit fillojnë dëbimin e armenëve, fushatë që çoi në masakrimin e disa qindra mijëra njerëzve, disa thonë deri në 1.5 milionë.

1920 – Në Konferencën e San Remos, organizuar nga aleatët për të ndarë territoret e Perandorisë Osmane, Britania merr mandatin për Palestinën - palestinezët e quajtën 1920-n, “viti i katastrofës”.

1950 - Presidenti Harry Truman mohon se ka komunistë në qeverinë e SHBA-së.

1961 - Presidenti Xhon Kenedi pranon përgjegjësinë pas disfatës në Gjirin e Derrave, Kubë - operacion që synonte pëmbysjen e qeverisë së Fidel Kastros.

1985 - Zyra amerikane e regjistrimit të popullsisë njofton se vendi ka 832.602 milionerë; në moshë mesatare 57 vjeç; 85 për qind me diploma kolegji; 20 për qind në pension dhe 70 për qind të vetë-punësuar.

Mendim i ditës
"Njeriu që ka kaluar përmes përvojave të hidhura dhe ka udhëtuar shumë, i gëzohet edhe vuajtjeve të veta pas një farë kohe".
Homer
XS
SM
MD
LG