Lidhje

Fosilet e bletëve tregojnë ndryshimin e klimës


Fosilet nga gropat e ziftit La Brea në Kaliforni vazhdojnë t’u japin shkencëtarëve material të shkëlqyer për studimin e të shkuarës së rajonit. Kafshët e lashta, nga mamuthët në insektet e vegjël, tregojnë fakte rreth ndryshimeve klimatike gjatë Periudhës së fundit të Akullnajave dhe ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë ndryshimin klimatik të kohëve së sotme.

Për shekuj me rradhë, zifti i natyrshëm i cili depërtonte nga toka në zonën që tani është Kalifornia jugore, zinte kafshë të vogla dhe të mëdha, duke ruajtur fosilet e tyre dhe duke i dhënë shkencëtarëve një numër mostrash të përshtatshme për studim.

Hulumtuesja në Muzeun e Gropave të Ziftit La Brea, Anna Holden, po analizon bletët e fosilizuara për të mësuar më shumë rreth mjedisit të lashtë.

“Unë jam duke u përpjekur të mësoj rreth klimës së atëhershme dhe mjedisit. Por kjo bletë ofroi një lloj informacioni të ri.”

Pasi i ekspozuan fosilet në një skaner të vogël, shkencëtarët zbuluan se mjedisi i bletëve ishte më i ngrohtë nga sa pritej, gjë që bëri të mundur arritjen e përfundimit se në fund të Epokës së Akullnajave, rreth 11.500 vjet më parë, kjo zonë nuk ishte mbulur me dëborë dhe akull siç mendohej më parë.

Zonja Holden thotë se ndryshe nga gjitarët e mëdhenj që erdhën në La Brea nga Amerika e Jugut ose përmes Ngushticës së Beringut, shtrirja e kufizuar e insekteve lejon që informacioni i mbledhur të jetë vetëm rreth mjedisit të tyre.

“Insektet kanë cikle jetësore shumë specifike, prandaj ata janë me të vërtetë tregues të mirë. Me fjalë të tjera, fosilet e tyre tregojnë vetëm rreth mjedisit të tyre.”

Zonja Holden thotë se cilido që mblodhi fosilët në vitet ’70 bëri një punë shumë të mirë në mbajtjen e shënimeve. Krahasimi i atyre të dhënave me gjetjet e sotme mund të tregojë diçka rreth të ardhmes sonë.

“Të kuptosh ndryshimin e mëparshëm të klimës është të kuptosh atë të tanishmin. Ndryshimi i klimës është një çështje e rëndësishme tani dhe insektet janë shpesh tregues të mirë të tij.”

Zonja Holden thotë se puna e saj mund të ndihmojë fermerët e ditëve të sotme për të luftuar problemin e shkatërrimit të kolonive të bletëve, duke zgjedhur llojet e bletëve që i përshtaten më mirë ndryshimeve klimatike.

XS
SM
MD
LG