Lidhje

Mbështetja e ulët për Pres. Obama shqetëson demokratët


2014 është një vit i zgjedhjeve për Kongresin në Shtetet e Bashkuara, por shumë kandidatë demokratë duket se janë të vendosur të mbajnë një distancë politike mes tyre dhe Presidentit Barak Obama. Miratimi i publikut për punën e Presidentit Obama është në rreth 40 për qind dhe kjo mund të dëmtojë shpresat e demokratëve për të ruajtur shumicën në Senat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell hollësitë.

Në Arizona janë mbledhur protestues nga të dyja kampet e çështjes së imigracionit, ata që i kundërshtojnë ashpër dhe ata që duan t’i ndihmojnë imigrantët e rinj nga Amerika Qendrore.

Edhe pse çështja e imigracioni dominon titujt e gazetave, presidenti Obama mbetet i fokusuar tek ekonomia dhe mbyllja e grindjeve politike në Uashington.

"Kurdoherë dhe kudo që unë kam autoritet ligjor për të ndihmuar familjet tuaja, edhe në qoftë se Kongresi nuk bën asgjë, unë do ta bëj. Do të përpiqem të bëj diçka".


Zoti Obama kundërshton planet e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të hapur procesin e padisë gjyqësore kundër tij për shpërdorim autoriteti.

"Disa prej tyre thonë: Paditeni atë! Ngrini akuza ndaj tij! Vërtetë? Për çfarë? Ju do të më padisni mua sepse unë po bëj punën time?"

Republikanët fajësojnë presidentin për mungesën e sigurisë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Midis tyre edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner.

"Këtë problem e ka shkaktuar vetë presidenti! Ai ka qenë president për pesë vjet e gjysmë. Kur pret ai të marrë përgjegjësi për diçka?"

Presidenti ëshë nën presion edhe nga demokratët liberalë, si ligjvënësi Luis Gutierrez, të cilët duan të mbrojnë imigrantët e rinj nga Amerika Qendrore.

"Kam në plan të mbështes kërkesën buxhetore të presidentit, por ne duhet të sigurohemi që të mos anashkalojmë drejtësinë për këta fëmijë".

Mbështetja e ulët për punën e presidentit në anketat e fundit është problematike për demokratët që do të garojnë në nëntor, thotë analisti politik Charlie Cook.

"Është problematike kur mbështetja për presidentin në kohën e zgjedhjeve për Kongres është shumë më poshtë se 50 për qind".

Vitin e ardhshëm, republikanët mund të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, thotë eksperti John Fortier.

"Ata kanë nevojë për gjashtë vende për të marrë shumicën, por ata kanë shans të mirë, të paktën 50 për qind mundësi, për të fituar shumicën në Senat dhe ndoshta edhe për të fituar disa vende të tjera në Dhomën e Përfaqësuesve".

Por Charlie Cook thotë se mbështetja e ulët në mandatin e dytë për punën e Presidentit Obama është në përputhje me historinë e kohëve të fundit.

"Në vitin e gjashtë, shtatë dhe tetë ata humbasin energjinë dhe zakonisht punët nuk shkojnë mirë".


Presidenti tashmë duket se është i gatshëm për të bërë fushatë, por ende nuk është e sigurt nëse demokratët do ta mirëpresin ndihmën e tij.

XS
SM
MD
LG