Lidhje

Qendra Insite, drogim nën mbikëqyrje mjekësore


Qendra “Insite” është një strukturë për injeksione të mbikëqyrura në zonën më të famëkeqe të heroinës në Vankuver. Këtu, infermieret u japin klientëve shiringa të pastra për të injektuar drogë. Studiuesit kanë provuar se kjo klinikë është efektive në pakësimin e rasteve të infeksionit me virusin HIV në atë zonë. Por ajo ka ngjallur polemika. Kritikët thonë se qendra Insite thjesht promovon përdorimin e paligjshëm të drogës.

Vankuveri i Kanadasë është quajtur perla e Paqësorit veriperëndimor. Por Vankuveri ka edhe një anë të errët. Më shumë se 4 mijë persona që marrin drogë përmes injeksionit jetojnë në pjesën lindore të qendrës së qytetit. Rrugicat e vogla pranë rrugës Hastings janë tregje të hapura të drogës.

"Ka shumë kujtime në këtë rrugicë," thotë Richard Teague.

Ai është një ish i varur nga heroina dhe ka virusin HIV prej më shumë se 24 vitesh.

"Kur je i varur nga droga dhe do të marrësh dozën, shkon në vendin më të afërt. Dhe kjo rrugicë është pikërisht ai vend. Kur do të marrësh dozën tënde nuk ke dëshirë të presësh. Nuk ke dëshirë të gjesh një dhomë. Por shkon në vendin më të afërt, ku mund të jesh paksa larg shikimeve, dhe e merr dozën aty."

Komuniteti u përgjigj duke krijuar InSite, qendrën e parë për injeksion të mbikëqyrur në Amerikën e Veriut.

"Kur njerëzit janë krejtësisht të varur dhe qëllimi i tyre është të përdorin drogë pavarësisht se çfarë themi ne, atëherë duhet të mendojmë se ‘në qoftë se do ta përdorin këtë drogë gjithsesi, si mund ta bëjmë këtë gjë në një mënyrë më të sigurt, që zvogëlon rrezikun e infektimit, që ul rrezikun e krijimit të plagëve të mëdha, që zvogëlon rrezikun që ky individ të krijojë nevoja për aspekte të tjera të kujdesit shëndetësor," thotë Andrew Day, aktivist i një shoqate për reduktimin e infeksioneve me HIV dhe SIDA.

Qendra Insite ka dymbëdhjetë kabina injeksioni, ku klientët përdorin drogat e tyre të paligjshme nën mbikëqyrjen e personelit të kujdesit shëndetësor. Ata përdorin gjilpëra të pastra, ujë të pastër dhe ndihmohen në pastrimin e plagëve.

Kur Richard përdorte heroinë, Insite ishte vendi ku vinte.

"Unë e di që Insite është një dhuratë nga perëndia për Vankuverin dhe për shumë njerëz. Sepse unë e di që, ka javë, kur në InSite ata shpëtojnë ndoshta rreth 10 deri 15 njerëz nga mbidoza," thotë ai.

"Një nga gjërat që kemi arritur është fakti se rritja e infeksioneve me HIV dhe Hepatit C ka rënë në mënyrë të konsiderueshme. Sa i përket HIV-it mendoj se bëhet fjalë për rreth 70 për qind," thotë Andrew Day.

Por qendra Insite ka dhe kritikë. Kryeministri i Kanadasë Stephen Harper dhe konservatorët në parlament duan ta mbyllin këtë qendër.

"Ka patur studime të shumta mbi këto lloje qendrash si InSite - në Kanada apo në vende të tjera në Evropën Qendrore - dhe disa prej tyre sugjerojnë se ka përfitime të shëndetit publik. Por sudime të tjera sugjerojnë se ka dëme të rëndësishme shëndetësore, si në drejtim të rritjes së normave të varësisë nga droga," thotë David Johnson, anëtar i bordit ndërkombëtar të OKB-së për kontrollin e narkotikëve.

Dr. Julio [Hulio] Montaner thotë se profesionistët e kujdesit shëndetësor që krijuan qendrën InSite ishin skeptikë se do të zvogëlonin infektimin me HIV.

"Dhe çdo herë të dhënat kanë thënë: ‘Po, kjo ndihmon.’ Dhe asnjë nga shqetësimet që unë dhe kolegët e mi kishim shprehur nuk janë vërtetuar."

Sot, jeta për Richard Teague është e përqëndruar tek ekuilibri dhe qetësia:

"E dini pse më pëlqen ky park? Sepse është shumë i qetë. Dhe për mua ky është pushim, larg nga skena e rrugës, nga të qenit në rrugica pas koshave të mbeturinave."

"Unë ende përballem me stigmë për shkak të virusit HIV dhe unë kam qenë shumë i hapur në lidhje me të. Këshilla më e mirë që mund të jap është të mos jeni të ndjeshëm. Nuk mund ta ndryshosh atë që ka ndodhur, duhet vetëm të mësosh të jetosh me këtë fakt," thotë ai.

Disa shtete të tjera, gjithashtu, kanë programe për injeksion të mbikqyrur, por deri tani në Shtetet e Bashkuara nuk ka plane të afërta për një qendër të tillë.

XS
SM
MD
LG