Lidhje

Italia nismë për dialog Romë-Tiranë-Beograd


Propozimi nga ministrja e jashtme italiane Federica Mogherini për promovimin e stabilitetit në Ballkan: Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur

Italia, e cila ka presidencën e radhës së Bashkimit europian, synon të organizojë një takim tre palësh së bashku me Shqipërinë dhe Serbinë, në përpjekje për të promovuar stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Këtë e bëri të ditur mbrëmë në Tiranë, ministrja e Jashtme italiane Federica Mogherini e cila ka nisur një tur në vendet e Ballkanit si një dëshmi e qartë dhe e fortë e bindjes së vendit të saj për nevojën e përshojetimit të procesit të integrimit europian të rajonit, tha zonja Mogherini

Italia duket se është e mendimit se qendrat kryesore dhe me peshë për stabilitetin në Ballkan janë Tirana dhe Beogradi e për këtë arsye ajo synon që të nxisë dialogun mes tyre. Ministrja e jashtme italiane, Federica Mogherini, e cila përfaqëson presidencën e radhës së Bashkimit europian tha mbrëmë se roli i Tiranës është dhe mund të jetë i rëndësishëm si faktor paqeje e stabiliteti në rajon: “Folëm sot, dhe do të flas edhe në Beograd ditën e hënë, mbi mundësinë e hapjes së një dialogu trepalësh mes ministrave të jashtëm të Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, gjatë presidencës sonë të Bashkimit europian, për t’i dhënë dhe më shumë peshë rolit stabilizues që Shqipëria mund të ketë për rajonin”.

Italia është ndër vendet e Bashkimit europian që mbështet përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit perëndimor, dhe e konsideron cështjen e zgjerimit si një ndër prioritetet e presidencës së saj. Edhe vizitat e ministres së jashtme Mogherini, në kryeqytetet e 6 vendeve ballkanike janë një dëshmi e bindjes së Italisë për nevojën për të ecur shpejt në këtë proces, tha ministrja Mogherini duke shtuar: "Mendoj se është në interesin jo vetëm të vendeve të Ballkanit perëndimor, dhe jo vetëm të rajonit, por është një interes i përbashkët i të gjithë Bashkimit europian që ta ruajë këtë horizont strategjik e të bëjë hapa konkret përpara edhe në muajt e vitet që do të pasojnë”.

Përsa i përket Shqipërisë, edhe ministrja Mogherini i mëshoi lidhjes së vecantë që ekziston mes dy vendeve. Italia ka qenë një mbështetëse e flaktë e përparimit të procesit të integrimit europian të Tiranës. Duke folur për marrjen e statusit të vendit kandidat ajo tha ishte një vlerësim për angazhimin e vendit: “Besoj se ky rezultat shumë i madh, është frut i agazhimit të qartë dhe të vendosur të qeverisë shqiptare në kryerjen e reformave, në realizimin e tyre vecanërisht për të mirën e vendit dhe të të gjithë shqiptarëve. Dhe besoj se i njejti sens urgjence në kryerjen e reformave do të jetë ylli polar i aktivitetit të qeverisë edhe në muajt e vitet që pasojë. Përfundimet e Këshillit europian përmbajnë një program reformash që duhen cuar përpara. Uroj që kjo të bëjë të mundur kalimin në fazat e mëtejshme brenda një kohe mëse të arsyeshme”

Edhe në planin bilateral Italia mbetet vendi që i ka dhënë Shqipërisë mbështetjen më të madhe financiare, përvec Bashkimit europian. Janë mbi 700 milion euro të ofruar që prej viteve 90. Dje në Tiranë, ministrja italiane dhe homologu i saj shqiptar Ditmir Bushati firmosën protokollin e ri të Bashkëpunimit italo-shqiptar, i cili parashikon mbi 80 milion euro për tre vitet e ardhshme. Ministrja Mogherini njoftoi edhe zgjidhjen e një problemi që prej vitesh rëndon transportuesit shqiptar të cilët janë të detyruar të paguajnë një taks fikse në Itali, gjë e cila rrit shumë kostot. Sipas zonjës Mogherini, po përgatitet vendimi për heqjen e kësaj takse duke nisur nga janari i 2015.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, ndërsa theksoi së Italia është një partner strategjik foli për një frymë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve: “Një marrëdhënie më e fuqizuar mes Italisë dhe Shqipërisë është e rëndësishme për Ballkanin, për Mesdheun, dhe për projektet e përbashkëta duke përmendur TAP-in dhe strategjinë e makro-rajonit ku dy vendet tona preken dhe kemi një mundësi më të madhe për të zhvilluar projekte të karakterit ekonomik dhe të një rëndësie gjeostrategjike”, deklaroi zoti Bushati.


XS
SM
MD
LG