Lidhje

Netanyahu paralajmëron fushatë të gjatë


Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se sulmet nga avionët dhe tanket izraelite kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 100 personave në Rripin e Gazës, ndërsa ushtria vazhdon me një fushatë që kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se mund të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thane se numri i përgjithshëm i vdekjeve është tani më shumë se 1 mijë e 100, shumica civilë, pas një prej netëve me sulme më të përhapura ajrore nga forcat izraelite që kur filluan luftimet tre javë më parë. Objektivat përfshinë shtëpinë e udhëheqësit të lartë të Hamasit në Gaza dhe një kompleks ku ndodhet radio-televizioni Al Aqsa i drejtuar nga Hamasi.

Sulmet vijnë disa orë pasi zoti Netanyahu u tha izraelitëve në një fjalim televiziv të përgatiten për një fushatë të gjatë kundër Hamasit.

"Ne e dimë se ka ditë të vështira përpara, kjo është një ditë e vështirë dhe e dhimbshme. Duhet të kemi durim për të vazhduar fushatën kundër një organizate terroriste vrasëse, që dëshiron të na shkatërrojë."
Ai tha se operacionet ushtarake nuk do të përfundojnë pa çarmatimin e një rrjeti tunelesh që përdoren nga militantët e Hamasit për të hyrë në Izrael.

Ushtria njoftoi sot se pesë ushtarë u vranë nga luftëtarët që përdorën një nga tunelet. Gati 53 trupa izraelite dhe tre civilë janë vrarë që nga 8 korriku.

Udhëheqësi suprem Iranian Ayatollah Ali Khamenei tha sot se Izraeli po kryente gjenocid në Gaza dhe shtoi se bota islame duhet të punojë për të armatosur popullin palestinez.

"Ajo që po bën regjimi Zionist sot është një gjenocid dhe një katastrofë e madhe historike. Izraeli criminal dhe mbështetësit e krimit duhet të dënohen në nivel ndërkombëtar dhe duhet të ndërshkohen."
Udhëheqësit botërorë nuk kanë mundur ta lehtësojnë krizën, megjithë përpjekjet e vazhdueshme për t’i bërë të dyja palët të bien dakort dhe të ruajnë një armëpushim.

Administrata Obama mbrojti dje Sekretarin e Shtetit John Kerry ndaj kritikave në median izraelite se përpjekjet e tij janë më të favorshme ndaj Hamasit.


XS
SM
MD
LG