Lidhje

Imigracioni – thashethemet për amnisti


Njoftime të pasakta në Amerikën Qendrore po nxisin shtimin e të rinjve pa dokumente që tentojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Pretendimet e pasakta sugjerojnë se Shtetet e Bashkuara do t’u japin amnisti imigrantëve të rinj nga rajoni. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden nga Hondurasi, këto thashetheme i kanë rrënjët tek një urdhër ekzekutiv i presidentit Obama në vitin 2012 për të ndalur dëbimet për disa imigrantë të rinj pa dokumente që tashmë jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Shumë adoleshentë dhe fëmijë që përpiqen të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara nga Hondurasi asnjëherë nuk arrijnë aty. Shumë kapen në Guatemalë dhe Meksikë dhe dërgohen në qendrat për kthimin e imigrantëve në San Pedro Sula.

Një vajzë 19 vjeçare që udhëtoi me djalin e saj dhe që nuk do të tregojë emrin, thotë se ajo po kërkon një jetë më të mirë.

“Do ta provojë përsëri pasi siç ju thashë këtu nuk gjej dot punë.”

Në Honduras, 60 përqind e njerëzve jetojnë në varfëri dhe dhuna nga bandat kriminale është një problem serioz. Por këto kushte kanë ekzistuar për vite me radhë.

Alexander Leiva, me Ministrinë e Punës dhe Sigurimit Social thotë se shkaku i shtimit të numrit janë premtimet e rreme në rajon se imigrantët që arrijnë në kufirin amerikan mund të fitojnë amnisti.

“Thonë që në se imigron me një të mitur, trajtohesh ndryshe dhe mund të punosh në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është tërësisht e pavërtetë.”

Këto histori shpesh citojnë vendimin e presidentit Obama në vitin 2012 për t’i dhënë fund deportimit të imigrantëve të rinj të paligjshëm. Por ajo që ka humbur në përkthim është se ky rregull aplikohet vetëm për imigrantët që kanë qënë tashmë në vend për pesë vitet e fundit.

“Kjo nuk është amnesti. Nuk është imunitet. Është një rrugë drejt shtetësisë.”

Pranë Tegucigalpas, një grup i quajtur Funmiredh grumbullon fonde për të ndihmuar në rivendosjen e të dëbuarve. Drejtuesi i grupit, Carlos Dias, thotë se historia që ai dëgjoi është se Shtetet e Bashkuara po ofrojnë amnisti për një kohë të kufizuar.

“Dukej sikur kjo amnisti do të ishte për një kohë të shkurtër dhe pastaj do të skadonte. Por qysh atëherë fëmijë dhe prindër filluan të imigrojnë në numër më të madh.”

Disa, si Billy Noel kanë dëgjuar gjithashtu se është më e lehtë të marrësh statusin e refugjatit për t’i shpëtuar dhunës së bandave.

"Po m’u tha se qeveria të lë të qëndrosh atje. Mund të kërkosh azil politik ose të paguash një gjobë. "

Për t’ju përgjigjur thashethemeve të amnistisë, Shtetet e Bashkuara po kryejnë procese të shpejtuara deportimi. Qeveria amerikane është gjithashtu duke marrë parasysh ngritjen e një qendre për shqyrtimin e rasteve të refugjatëve që do të lejonte kërkesat legjitime të adresohen në Honduras dhe jo në kufi.

((SIGNED))

XS
SM
MD
LG