Lidhje

Shtëpi me teknologji për ushtarët e plagosur


Gati 300 mijë ushtarë amerikanë janë kthyer nga Iraku apo Afganistani me aftësi të kufizuara fizike dhe emocionale. Tani, ushtria amerikane po bashkëpunon me një kompani të pasurive të patundshme dhe me një arkitekt të famshëm për të siguruar shtëpi me cilësi të lartë dhe të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, për të vendosur një standard të ri jetese për këta luftëtarë të plagosur... dhe ndoshta për gati 57 milionë amerikanë të tjerë që jetojnë me shkallë të ndryshme kufizimi të aftësive.

Mund të duket një shtëpi tipike e një periferie amerikane. Por brenda, pothuajse çdo aspekt është projektuar për ushtarët amerikanë me aftësi të kufizuara rëndë, të cilët kthehen në bazën Fort Belvoir të Virxhinias.

Një dhomë ndenjeje e hapur dhe korridore të gjatë e të gjerë lejojnë lëvizjen me lehtësi të karriges me rrota. Dollapët janë të pajisur me rafte që tërhiqen, banjot kanë shufra të forta për t’u mbajtur dhe pothuajse çdo dhomë ka derë me shina.

Casey Nolan, me kompaninë Clark Realty, thotë se Projekti Shtëpi për Luftëtarin e Plagosur ka objektiva të shumta:

"Një nga gjërat që vendosëm të bënim ishte jo vetëm të ndërtonim një shtëpi që shkon përtej standardeve të detyrueshme për këta persona, por të krijonim një mjedis ku çdokush do të dëshironte të jetonte."

Kështu, në kuzhinë, lavamani lëviz lart ose poshtë me prekjen e një butoni, ashtu si dhe soba. Dhe banaku mund të rregullohet sipas çdo anëtari të familjes.

"Ne kishim për qëllim, kur nisëm këtë projekt, që të bënim një shtëpi e cila nuk të njoftonte që prej së largu se ‘këtu jeton një person me aftësi të kufizuara’," thotë arkitekti i projektit.

Arkitekti Michael Graves dhe ekipi i tij kanë projektuar ndërtesa të vlerësuara me çmime, në mbarë botën.

Në vitin 2003, një infeksion i rrallë e paralizoi atë nga mesi e poshtë. Zoti Graves thotë se ai ndihet i aftë në mënyrë unike për të projektuar shtëpi për ushtarët e plagosur.

"Isha në gjendje të bëjë për ta çdo gjë që do të kisha bërë për shtëpinë time nëse do ta kisha ditur që do të isha paralizuar."

Por ndërsa shumë ushtarë kthehen në shtëpi në karrige me rrota, shumë të tjerë kthehen me aftësi të kufizuara të tjera.

"Unë kam pësuar djegie të shkallës së 3-të në të gjithë anën e djathtë të trupit, nga poshtë shpatullës deri tek kavilja."

Kjo, kapitenit në pension Alvin Shell i ndodhi në Irak, ndërsa shpëtonte një ushtar tjetër nga një kamion në flakë. Ai ka gjithashtu humbje të shikimit dhe çrregullim të stresit post-traumatik.

Për këtë arsye, anëtarët e Projektit Luftëtari i Plagosur i kërkuan zotit Shell dhe gruas së tij të punonin si këshilltarë për Projektin. Ai sugjeroi të përfshiheshin dritare të mëdha dhe dyer xhami për të lejuar hyrjen e dritës natyrore terapeutike dhe për të krijuar një ndjesi sigurie. Telekomandat me ekrane me prekje ndihmojnë viktimat e djegieve dhe të gjymtuarit të hapin dyert.

Djegiet e zotit Shell e bëjnë të vështirë për trupin e tij që të rregullojë temperaturën e vet, kështu që ai rekomandoi vendosjen e shumë termostateve në të gjithë shtëpinë.

"Unë shpresoj vërtet që koncepti i kësaj shtëpie të përhapet në të gjithë ushtrinë."

Arkitekti Michael Graves shpreson që koncepti të përhapet përtej ushtrisë.

"Ato shtëpi që kemi bërë në Fort Belvoir do të funksiononte në të gjithë vendin për njerëzit me aftësi të kufizuara apo thjesht me artrit."

Deri tani janë përfunduar dy shtëpi të Projektit dhe ka plane për ndërtimin e të tjera shtëpive si këto në Fort Belvoir, në vitet e ardhshme.

Ndërkohë, dy shtëpitë model kanë ndikuar në projektimin e rreth 50 shtëpive të tjera me qasje për personat me aftësi të kufizuara në pjesë të ndryshme të SHBA-së.

XS
SM
MD
LG