Lidhje

Nisma për mision humanitar në Luhansk


Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se Presidenti Barack Obama ka shprehur mbështetje ndaj një nisme të Ukrainës për të dërguar një mision humanitar ndërkombëtar në rajonin lindor të Luhanskut të shkatërruar nga lufta.

Sipas faqes së internetit të presidentit ukrainas, zoti Obama i kishte thënë zotit Poroshenko në një bisedë telefonike se misioni do të kryhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian, Rusisë, Gjermanisë dhe "partnerëve të tjerë". Ai tha se zoti Obama i kishte konfirmuar se Shtetet e Bashkuara synojnë "të marrin pjesë aktive".

Vetëm disa orë më parë, faqja e Kremlinit njoftonte se presidenti Vladimir Putin e kishte informuar sot presidentin e Komisionit Evropian Joze Manuel Barroso në një bisedë telefonike se Rusia do të dërgojë një "autokolonë humanitare" në Ukrainë ", në bashkëpunim me përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq."

Zyra e zotit Barroso tha në një deklaratë se ai e kishte paralajmëruar zotin Putin gjatë telefonatës "që të mos ndërmarrë asnjë veprim të njëanshëm ushtarak në Ukrainë, nën asnjë pretekst, duke përfshirë edhe ato humanitarë."

Agjencitë ruse të lajmeve citojnë ministrin e jashtëm Sergei Lavrov të ketë thënë sot se Moska kishte "rënë dakord për të gjitha hollësitë" e autokolonës humanitare me qeverinë e Ukrainës. Zoti Lavrov tha gjithashtu se shpreson që "partnerët perëndimorë" të Rusisë nuk do të "vënë shkopinj në rrota".

Agjencia franceze e lajmeve citon zëdhënësin e Putinit, Dmitri Peskov të ketë thënë se autokolona që Rusia planifikon të dërgojë në Ukrainë nuk do të ketë "eskortë ushtarake." Ai konfirmoi se për misionin ishte rënë dakord me Kievin dhe se do të mbikëqyrej nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Po sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen tha se aleanca nuk ka parë asnjë shenjë që forcat ruse të tërhiqen nga kufiri me Ukrainën dhe se ekziston "një probabilitet i lartë" që Moska të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainën lindore.

Ndërkohë, një zëdhënës ushtarak ukrainas tha se forcat e qeverisë po përgatisin "fazën përfundimtare" të rimarrjes së Donetskut, baza kryesore e separatistëve pro-rusë në Ukrainë lindore.

XS
SM
MD
LG