Lidhje

Ukraina e vendosur të ndalë autokolonën ruse


Ministri i brendshëm i Ukrainës tha se autokolona ruse që po udhëton drejt pjesës së trazuar të Ukrainës në lindje të vendit, nuk do të lejohet të kapërcejë kufirin.

Arsen Avakov e cilësoi autokolonën “një provokim nga një agresor cinik”. Rusia thotë se rreth 300 kamionë që u nisën dje nga Moska, po sjellin ndihma humanitare për civilët në pjesën lindore të vendit me popullatë rusisht-folëse.

Ukraina ka thënë se mallrat do të lejohen të futen vetëm nëse inspektohen fillimisht nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe ngarkesa transferohet në kamionë të Kryqit të Kuq.

Departamenti amerikan i Shtetit tha dje se i mbështet plotësisht kërkesat e Ukrainës për të kontrolluar në kufi dërgesën ruse, në përpjekje për të garantuar se në mallrat që po transportohen nuk fshihen armë për të furnizuar kryengritësit.

"Rusia nuk ka të drejtë të futet në Ukranë kur t’i dojë qejfi, qoftë edhe nën pretekstin e dërgesave humanitare, apo me çdo pretekst tjetër, pa marrë më parë leje nga Kievi. E kemi biseduar çështjen me autoritetet ukrainase. Ata kanë hartuar një plan që e konsiderojnë si funksional; po ashtu e shohim edhe ne. Tani është në dorë të rusëve ta respektojnë”.

Rusia këmbëngul se dërgesa po menaxhohet nga Ministria e Emergjencave që nuk ka komponentë ushtarakë. Mbetet i paqartë fati i udhëtimit dhe ngarkesës së autokolonës ruse, kur t’i afrohet kufirit.

Nga ana e tij, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha të martën se nuk ka pasur kontakte direkte me autoritetet ruse lidhur me dërgesat dhe se pret informacion mbi autokolonën. Agjencia ndërkombëtare thotë se një pjesë e madhe e Ukrainës lindore, përfshirë qytete të rëndësishme si Donetsk dhe Luhansk kanë mungesa në furnizimet me ilaçe, ujë dhe energji elektrike, ndërkohë që vazhdojnë përleshjet mes separatistëve pro-rusë dhe trupave ukrainase që përpiqen të vënë nën kontroll rebelimin katër mujor.

XS
SM
MD
LG