Lidhje

Dhunë në Mizuri pas vrasjes së një të riu afrikano-amerikan


Protestat shkuan në atë pikë të enjten sa presidenti Obama la pushimet për të shprehur shqetësimin e tij rreth dhunës raciale që ka shpërthyer në rrethinën Ferguson të qytetit St. Louis pas vrasjes së të riut Michael Brown nga një polic.

“Tani është koha për tu shëruar. Tani është koha për paqe dhe qetësi në rrugët e Fergusonit.”

Që nga vrasja me 9 gusht, protestuesit kanë bllokuar rrugët dhe janë përleshur me policinë. Kjo e fundit ka përdorur gazin lotsjellës dhe bomba tymuese për të shpërndarë turmat. Zyrtarët e policisë thonë se ata e bënë këtë pasi disa prej demostruesve kishin qëlluar policinë me shishe me benzinë dhe me gurë.

Në fjalën e tij të enjten, presidenti Obama u bëri thirrje të dy palëve që të tregojnë përmbajtje.

“Asnjëherë nuk ka justifikim të dhunës kundër policisë ose për ata që përdorin këtë tragjedi si shkas për vandalizmin apo vjedhjet. Nuk ka justifikim për policinë në përdorimin e forcës së tepruar kundër protestave paqësore ose burgosjen e protestuesve që ushtrojnë në bazë të ligjit të drejtat që ofron Amendamenti i Parë.

Amendamenti i Parë në Kushtetutën amerikane garanton të drejtën e lirisë së fjalës. Zoti Obama kritikoi policinë pas arrestimit të dy gazetarëve që po mbulonin demostratat.

“Këtu në Shtetet e Bashkuara, policia nuk duhet të ngacmojë apo arrestojë gazetarët që po mundohen të bëjnë punën e tyre dhe njoftojnë popullin amerikan rreth asaj që po shohin në vendngjarje.”

Ka njoftime kontradiktore rreth vrasjes së Michael Brown. Policia thotë se adoleshenti zezak u vra ndërsa po përleshej me një polic. Një dëshmitar thotë se viktima i kishte ngritur duart lartë kur polici e qëlloi atë.

Presidenti Obama u ka kërkuar autoriteteve federale që të zhvillojnë një hetim të pavarur.

TENSIONET MBETEN TË LARTA NË FERGUSON

Tensionet racore mbeten të larta në një periferi të qytetit Saint Louis në shtetin Misuri, pak ditë pasi një i ri afrikano-amerikan i paarmatosur u qëllua për vdekje, siç thuhet nga një polic i bardhë. Udhëheqësit e të drejtave civile dhe Presidenti Barak Obama po bëjnë thirrje për qetësi. Autoritetet federale po hetojnë rreth problemeve të tjera të kohëve të fundit mes afrikano-amerikanëve dhe policisë.

Policia përdori mbrëmë gazin lotsjellës dhe bombat e tymit ndaj qindra banorëve që protestonin për të katërtën natë radhazi në komunitetin Ferguson me shumicë zezake.

Kjo periferi kryesisht afrikano-amerikane është bërë vatër tensionesh racore që nga e shtuna, kur 18-vjeçari Michael Brown u qëllua për vdekje nga një polic. Dëshmitarët thonë se Brown ishte i paarmatosur.

Nëna e tij Lesley McSpadden kërkon përgjigje.

"Nuk ishte im bir që e shkaktoi këtë, ishte dikush tjetër," thotë zonja McSpadden.

Demonstratat janë bërë të dhunshme. Disa dyqane janë plaçkitur dhe janë djegur ndërtesa. Presidenti Obama e quajti vdekjen e 18-vjeçarit Brown një ngjarje trishtuese dhe i kërkoi komunitetit që ta nderojë viktimën nëpërmjet reflektimit dhe mirëkuptimit. Al Sharpton dhe udhëheqës të tjerë të të drejtave civile gjithashtu bënë thirrje për qetësi.

"Të bëhesh i dhunshëm në emër të Michael Brown, kjo është të tradhtosh shpirtin e tij të madh e të butë," tha zoti Sharpton.

Shefi i Policisë së Fergusonit, Thomas Jackson nuk e ka publikuar emrin e policit, i cili qëlloi mbi të riun për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Forca policore në Ferguson është kryesisht e bardhë dhe dëshmitarët thonë se edhe polici ishte i bardhë.

Shefi i policisë Thomas Jackson tha se rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim, por shtoi se zyrtarët po përpiqen të ulin kriminalitetin në këtë komunitet.

"Ka patur shumë krime. Kohët e fundit ne kemi punuar me ta për të ulur krimin, për të ndihmuar në zgjidhjen e krimit," tha zoti Jackson.

FBI-ja ka nisur një hetim për vdekjen e të riut Brown, një tjetër incident ky, në të cilin policia është akuzuar për përdorimin e tepruar të forcës kundër afrikano-amerikanëve.

Në Nju Jork, prokurorët po hetojnë rastin e Eric Garner, i cili vdiq pas arrestimit. Kjo video tregon një polic duke i shtrënguar qafën Garnerit, teknikë e ndaluar me rregulloret e policisë.

Këtë e pohon edhe komisioneri i policisë William Bratton:

"Po, sipas përkufizimit në udhëzuesit për patrullat policore, duket se është përdorur taktika e shtrëngimit të qafës," tha zoti Bratton.

Analistët ligjorë thonë se prokurorët federalë mund të ngrejnë akuza kundër policëve. Ndërkohë, në Nju Jork dhe Misuri janë planifikuar protesta të tjera.

XS
SM
MD
LG