Lidhje

Irak, vazhdojnë luftimet me militantët ISIS


Për të dytën ditë me rradhë, forcat ushtarake amerikane kryen sulme ajrore për të mbështetur luftëtarët kurdë, ndërsa ata përpiqen për të marrë kontrollin e një dige strategjik në Irakun verior nga militantët e Shtetit Islamik.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë se 14 sulmet ajrore të së dielës shkatërruan ose dëmtuan automjete të armatosura, transportues të blinduar dhe një pikë kontrolli të Shtetit Islamik. SHBA thanë se kanë përdorur avionë luftarakë, bombardues dhe avionë pa pilot në sulmet e fundit, veç nëntë goditjeve të tjera të ndërmarra disa ditë më parë.

Luftëtarët kurdë njoftojnë se kanë rimarrë pjesën lindore të territorit pranë digës së Mosulit në lumin Tigër, e cila siguron energji elektrike dhe ujitje për pjesën më të madhe të rajonit. Por kurdët thanë se përparimi i tyre është ngadalësuar nga bombat e vendosura prej xhihadistëve që tërhiqeshin, të cilët e morën digën në fillim të këtij muaji.

Fillimisht SHBA i ndërmorën sulmet ajrore kundër kryengritësve të Shtetit Islamik në fillim të muajit, pjesërisht për të parandaluar vrasjen e mijëra banorëve Yazidi të bllokuar në majën e një mali në Irakun verior.

MILITANTËT MASAKROJNË 80 PERSONA

Të shtunën, disa dëshmitarë thanë se militantë të Shtetit Islamik masakruan 80 persona, shumica e tyre pjesëtarë të pakicës fetare Yazidi, gjatë një sulmi në fshatin Kocho në Irakun verior.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier u takua në Irbil me presidentin e rajonit kurd të Irakut, Massoud Barzani. Steinmeier tha se Gjermania ka caktuar një fond për ndihma humanitare shtesë për njerëzit që janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të islamikëve.

Zoti Barzani e përshkroi atë që po ndodh në rajon si "një situatë tragjike".

XS
SM
MD
LG