Lidhje

Lirimi i gazetarit amerikan në Siri


Gazetari i pavarur amerikan Peter Theo Curtis u lirua të dielën nga grupimi islamist Jabhat al-Nusra, që e kishte mbajtur në robëri për rreth dy vjet në Siri. Victor Beattie i Zërit të Amerikës raporton se lirimi ndodhi pesë ditë pasi një video u vendos në internet ku tregohej prerja e kokës së gazetarit amerikan James Foley në duart e një militanti të Shtetit Islamik.

Peter Theo Curtis iu dorëzua paqeruajtësve të OKB-së në fshatin Al-Rafid në Lartësitë e Golanit në orët e vona të së dielës dhe u përcoll në vazhdim tek përfaqësuesit amerikanë. Zyrtarët amerikanë thonë se ai ka dalë tashmë jashtë Sirisë dhe do t’i ribashkohet familjes së tij së shpejti.

Jonathan Adelman, profesor i asociuar në Shkollën Korbel të Studimeve Ndërkombëtare, të Universitetit të Denverit, thotë se ka disa arsye që lirimi i gazetarit Curtis është i lidhur me ekzekutimin e kolegut të tij James Foley më 19 gusht.

“Së pari, al-Nusra që është më tepër një grupim sirian sesa një kalifat ose grupim ndërkombëtar, është e qartë se donte të dëshmonte që megjithëse ata kanë vrarë dhe torturuar njerëz më parë, ata nuk janë si ISIS. Ata po mundohen të tregojnë që janë ndryshe. Së dyti, lirimi është shumë i rëndësishëm për Katarin që sapo pësoi një dështim që ka lidhje me luftën midis Izraelit dhe grupit Hamas, kur së bashku me Turqinë garantuan një armëpushim dhe duhet dhe ta kishin bindur Hamasin për armëpushimin. Por, ata dështuan.”

Analisti për Lindjen e Mesme Stephen Zunes i Universitetit të San Francisco thotë se lirimi i gazetarit Curtis mund të jetë dhe një lloj përpjekjeje nga al-Nusra për të frenuar një zgjerim të mundshëm të goditjeve ajrore të SHBA-së edhe në Siri.

“Mendohet që Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta dhe vende të tjera, do të drejtojnë betejën e tyre kundër ISIS, ç’ka e kemi parë tashmë të zhvillohet në Irak përgjatë kufirit sirian dhe mendoj se njerëzit e al-Nusra-s po përpiqen ta bëjnë të qartë që janë një grup veçmas dhe se nuk duan të pësojnë hakmarrjen e ushtrisë amerikane.”

Familja Curtis thotë se gazetari u kap pak pasi kishte hyrë në Siri në muajin tetor të vitit 2012. Detajet e lirimit të tij janë të paqarta, por nëna e tij, Nancy, thotë se përfaqësues të qeverisë së Katarit e kanë njoftuar vazhdimisht familjen se ishin duke ndërmjetësuar për lirimin e Theos për arsye humanitare dhe pa patur nevojën e një pagese. Ajo thotë se familja e saj në Cambridge, të shtetit Masaçusets është “përjetësisht mirënjohëse” ndaj të gjithë personave që ndihmuan në lirimin e tij.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Barack Obama “përjeton të njëjtin gëzim dhe çlirim... tani që Theo është jashtë Sirisë dhe i sigurtë.” Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, tha gjatë një deklarate se Shtetet e Bashkuara kanë kontaktuar më shumë se një dyzinë vendesh duke kërkuar ndihma urgjente nga çdokush që mund të ketë mjetet, influencën, ose ndikimin për të ndihmuar në arritjen e lirimit të gazetarit dhe të çdo amerikani që mund të jetë duke u mbajtur peng në Siri.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u shpreh se Siria është vendi më i rrezikshëm në botë për gazetarët. Të paktën 70 janë vrarë gjatë dy viteve të fundit. Më shumë se 80 janë marrë peng, dhe për rreth 20 nuk dihet vendndodhja momentalisht në Siri.

Kryeministri Britanik David Cameron tha gjatë javës së kaluar se ka “gjithnjë e më shumë gjasa” që ekzekutuesi i maskuar i gazetarit James Foley është një nënshtetas britanik.

Gjatë një emisioni në një kanal televiziv amerikan (NBC Meet the Press), ambasadori i Britanisë në Shtetet e Bashkuara, Peter Westmacott, dha shenja se agjensitë e zbulimit janë afër identifikimit të ekzekutuesit të Foley-it:

“Kam qenë sigurisht në kontakt gjatë ditëve të fundit me kolegët e mi në atdhe. Nuk jemi ende në gjendje të themi saktësisht kush është ky person, por ekziston një teknologji shumë e sofistikuar për identifikimin e zërit dhe disa parametra të tjera të cilët ne i disponojmë dhe që duhet të na mundësojnë të jemi shumë të qartë së afërmi se kush është ky person.”

Ambasadori Westmacott thotë se mund të jenë rreth 500 persona nga Mbretëria e Bashkuar që iu janë bashkuar xhihadistëve.

Ceremoni përkujtimore për Foley-in u mbajtën të dielën në Irbil të Kurdistanit Irakian, dhe në qytetin e tij Roçester, në shtetin Nju Hampshër. Anëtarë të Sindikatës së Gazetarëve të Kurdistanit, studentë, ligjvënës dhe diplomatë, përfshi dhe Konsullin e Përgjithshëm të SHBA-së në Irbil, Joseph Pennington, ishin të pranishëm në ceremoninë në Irak:

“James Foley shkoi në vendet më të errëta për të hedhur dritë. Sot, mendimet dhe lutjet tona ja dërgojmë familjes së James Foley-it, miqve të tij dhe kolegëve që janë duke mbajtur zi për humbjen e tij.”

Mesha përkujtimore e mbajtur në kishën në New Hampshire u ndoq nga prindërit e Foley-it dhe qindra të tjerë me në krye Peshkopin Peter Libasci:

“...ky moment në jetën tonë është i përmasave ndërkombëtare dhe tejkalon të gjithë kufijtë, ndërkohë që është dhe tejet personal, i ndërthurur me një ndjesi të thellë dashurie njerëzore dhe keqardhjeje. Dëshiroj t’ju shprej juve, në emër të të gjithë popujve, simpatinë tonë më të thellë.”

Peshkopi gjithashtu lexoi me zë një letër nga Papa Françesku që shprehte ngushëllimet e tij. Një funeral për Foley-in pritet të mbahet më 18 tetor, që do të kishte qenë ditëlindja e tij e 41-të.

XS
SM
MD
LG