Lidhje

Qetësi në Izrael dhe në Rripin e Gazës


Izraeli dhe Rripi i Gazës kanë rënë sot në qetësi falë armëpushimit me afat të pacaktuar. Armëpushimi, i cili hyri në fuqi mbrëmë, ofron lehtësimin e bllokadës së Gazës nga ana e Izraelit për të lejuar futjen e ndihmave humanitare dhe materialeve të ndërtimit, si dhe zgjerimin e zonës së peshkimit në brigjet e Gazës.

Palestinezët mbushën mbrëmë rrugët e Gazës duke festuar arritjen e armëpushimit. Të shtëna në ajër ndriçonin qiellin e natës.

“Pjesëmarrja jonë është në mbështetje të rezistencës. Kemi parë që shumica e udhëheqësve arabë janë ngritur kundër rezistencës dhe popullit të Palestinës. Përgjigja jonë: edhe nëse mbetet një fëmijë i vetëm, një njeri i vetëm, ne do të mbështesim rezistencën deri në frymën e fundit”, thotë një banor i Hebronit.

Mbi 2100 palestinezë janë vrarë që kur shpërthyen luftimet në fillim të korrikut, kur forcat izraelite ndërmorën një ofensivë për të ndalur sulmet e Hamasit me raketa ndaj Izraelit jugor. Izraeli ka pësuar 67 viktima, shumica ushtarë, me përjashtim të pesë individëve.

Banorët në Izraelin jugor e përshëndetën njoftimin për armëpushim, por nuk kanë besim tek Hamasi dhe ekstremistë të tjerë në Gazë:

“Kemi pasur armëpushime edhe në të kaluarën, por nuk funksionuan dhe pala palestineze vazhdoi terrorin, shkatërrimin, çmendurinë, prandaj nuk kemi besim tek ata”, thotë një banor në Sderot.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë kërkuar që në fillim ndalimin e luftimeve, thanë se e mbështesin armëpushimin.

“E konsiderojmë marrëveshjen si një shans, jo garanci. Ajo u arrit pas negociatash që vazhduan me orë e ditë. Por kemi rrugë të gjatë përpara; e kemi të qartë këtë dhe do të tregohemi të vëmendshëm”, thotë Jen Psaki, Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Armëpushime të shkurtra në javët e mëparshme ndalnin përkohësisht luftimet në Gazë. Por Hamasi rifillonte goditjet me raketa sapo skadonin armëpushimet dhe Izraeli përgjigjej me sulme vdekjeprurëse nga ajri. Këtë radhë palët kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet brenda një muaji për një numër çështjesh delikate.

Dhuna vazhdoi edhe në orët para arritjes së marrëveshjes. Izraeli ndërmori sulme ajrore që sheshuan dy nga ndërtesat më të larta të banimit në Gazë.

XS
SM
MD
LG