Lidhje

Në kërkim të inteligjencës


Studiues në Universitetin Shtetëror të Miçiganit kanë vërejtur ndryshime të menjëhershme në aktivitetin mendor të pjesëmarrësve në një studim, kur atyre iu tha se puna sistematike dhe serioze është më e rëndësishme se prirjet gjenetike.

Studiuesit thonë se nuk ka rëndësi nëse vërtetë puna është më e rëndësishme për sukses se sa talenti i lindur, ajo që është e rëndësishme është se përcjellja e këtij mesazhi i motivon njerëzit të tregohen entuziastë dhe më efektivë në studim.

Në studim u përfshinë dy grupe. Njërit prej grupeve iu dha një artikull reviste ku thuhej se suksesi varet në shkallë të madhe nga prirja gjenetike. Grupi tjetër lexoi për shembuj ku individë të shquar kishin arritur sukses të nxitur nga rrethanat e vështira të jetës.

Studiuesit më pas analizuan aktivitetin e trurit, pasi i nënshtruan pjesëmarrësit ndaj një seri testesh. Ata që lexuan artikullin me mesazhin për vlerën e punës mbanin një qëndrim më pozitiv ndaj gabimeve si dhe treguan përmirësim në testet e mëpasshme, ndërsa grupi që kishte lexuar për rëndësinë e talentit të lindur nuk kishte përmirësim. Është një tregues i rëndësishëm, thonë studiuesit, i mesazhit që duhet të përcjellin arsimtarët dhe prindërit mbi vlerën e punës.

XS
SM
MD
LG