Lidhje

Pronat e Yanukovych-it


Edhe pse kanë kanë kaluar mbi gjashtë muaj nga arratisja në Rusi e ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovych, autoritetet ende nuk e kanë marrë në kontroll pallatin e tij luksoz në veri të Kievit. Territori i pallatit vazhdon të jetë i pushtuar nga protestuesit, të cilët e kanë hapur për turistët, por ata nuk pranojnë t'ia kalojnë shtetit.

Ukrainasit u tronditën kur protestuesit hapën me forcë portat e Mezhigiryas, banesës private të ish-Presidentit Janukoviç.

Pallati luksoz, që vlerësohet në mbi 1 miliard dollarë, flet për korrupsionin masiv mes udhëheqësve të vendit.

Mosbesimi i qytetarëve vazhdon. Njeriu që ende ka në kontroll pallatin, komandant Denis Tarahkotelyk nuk pranon t'ia dorëzojë atë shtetit.

"Duhet të plotësohen dy kushte. Të bëhet inventari dhe të vlerësohet çmimi. Në këtë mënyrë ne mund të kuptojmë se për ç'prona bëhet fjalë. Vetëm kështu mund të gjendet se kush është përgjegjës nëse mungon diçka."

Masat e sigurisë në pronën prej 864 hektarësh janë përmirësuar pas një incidenti, kur disa protestues thyen një kasafortë dhe morën sende me vlerë. Dhe megjithëse ka nga ata që i kritikojnë njerëzit të cilët mbajnë të pushtuar pallatin, aty vazhdojnë të vijnë turistë dhe të bëhen dasma.

Ky ka qenë truall i një manastiri të vjetër të Ukrainës, prandaj duhet të ruhet si park kombëtar, thotë Henadiy, guidë turesh për vizitorët.

"Është e rëndësishme për turizmin, si dhe për edukimin patriotik dhe fetar. Jo vetëm për ukrainasit, por edhe sepse këtu filloi përhapja e besimit tonë ortodoks," thotë Henadiy.

Këtu ka edhe një objekt të nivelit botëror për stërvitjen e qenve për nuhatje bombash. Ka fushë golfi, kopsht frutash dhe një kopsht zoologjik privat.

Tamara thotë se ka rëndësi që njerëzit të shikojnë se si ish udhëheqësi i Ukrainës sillej si një car i vërtetë.

"Unë mendoj se duhet të vendosë komuniteti se si do të përdoren pallati. Ta lësh atë thjesht si vend turistik do të jetë e vështirë për shkak se me çmimin e lartë të biletave do të jetë e pamundur ta mbash pallatin të vizitueshëm në dimër."

Ata që kontrollojnë banesën luksoze thonë se ajo duhet të bëhet përfundimisht një muze kushtuar korrupsionit.

Por edhe pasi të negociohet kontrolli fizik i pallatit, autoritetet në Ukrainë do të kenë vështirësi të ndryshme ligjore, sepse pallati është në pronësi përmes kapitaleve të marra hua nga kompani që veprojnë jashtë vendit dhe që fshihen për t'iu shmangur taksave.

XS
SM
MD
LG