Lidhje

Kryeministri indian mbyll vizitën në SHBA


Kryeministri i Indisë, Narendra Modi bëri vizitën e tij të parë në Uashington, për të forcuar lidhjet politike dhe ekonomike mes demokracisë më të vjetër dhe asaj më të madhe të botës. Ai erdhi në kryeqytetin amerikan nga Nju Jorku, ndalesa e parë në vizitën pesëditore në vendin që në të kaluarën ia kishte mohuar vizën e hyrjes. Zoti Modi dukej më i përqendruar në tërheqjen e investimeve të huaja dhe tregëtinë për të shtuar shanset e popullit të tij për punësim.

Presidenti Barack Obama e shoqëroi zotin Modi në një vizitë tek memoriali i Martin Luther Kingut dje, për të nderuar ish-udhëheqësin amerikan të të drejtave civile. Të hënën, dy udhëheqësit u takuan në Shtëpinë e Bardhë për një darkë private dhe një vizitë zyrtare në Zyrën Ovale dje.

“Mendoj se të gjithëve u ka bërë përshtypje energjia dhe vendosmëria e kryeministrit për të përballuar jo vetëm sfidat e konsiderueshme të Indisë, por çka është më e rëndësishme, mundësitë e mëdha të Indisë për sukses në shekullin e 21-të”.

Pritja madhështore vjen më pak se një dekadë pasi zotit Modi iu mohua një vizë për në Shtetet e Bashkuara për shkak të trazirave të vitit 2002 në shtetin e tij Gujarat, gjatë të cilave gjetën vdekjen mbi 1 mijë vetë, shumica myslimanë. Më pas të gjitha akuzat ndaj zotit Modi që ishte ministri drejtues i Gujaratit në atë kohë, u rrëzuan.

Zoti Obama dhe zoti Modi diskutuan për tregëti, investime biznesi, ndryshimet e klimës, nismat në hapësirë, arsimin dhe luftën kundër Ebolës dhe terrorizmit.

Ata thanë se tregëtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë është pesëfishuar që nga viti 2001, në afro 100 miliardë dollarë dhe kjo shifër duhet të dyfishohet.

“Në Indi ka shumë të varfër. Nuk mund të lejoj që ata të vuajnë nga uria. Për këtë arsye, marrëveshja për lehtësimin e tregëtisë dhe siguria ushqimore duhet të ecin paralelisht”.

Në New Delhi, opozita thotë se veprimet janë më të rëndësishme se fjalët.

“Do të ishte shumë mirë që këto diskutime të ktheheshin në investime reale të drejtpërdrejta, në dollarë amerikanë, importim teknologjie, mënyra të reja prodhimi. Dhe sigurisht që ne do të gjykojmë jo fjalët dhe darkat, por rezultatet konkrete”.

Të dielën, zoti Modi deklaroi para një turme entuziaste në Madison Square Garden se amerikanët me origjinë indiane, do të merrnin viza të përhershme.

“Atyre që duan të qëndrojnë në Indi për një kohë të gjatë, u është dashur në të kaluarën të shkojnë në stacionet e policisë për të marrë viza. Tani nuk do të kenë më nevojë ta bëjnë një gjë të tillë”.

Zoti Modi, mori detyrën në maj pasi partia e tij BJP siguroi një fitore dërrmuese ndaj rivales Partisë së Kongresit që kishte qeverisur në Indi për 10 vjet. Disa analistë thonë se forcimi i lidhjeve me Shtetet e Bashkuara do të konsolidojë pozitat e tij në Indi dhe në arenën botërore.

“Ai ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm dhe mendoj se po shohim më shumë se një aleancë SHBA-Indi, tek e cila janë përqendruar të gjithë. Mendoj se ky është debuti i Narendra Modit në skenën botërore dhe i vizionit të tij si politikan”.

Zoti Modi e mbylli vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara duke nderuar kujtimin e udhëheqësit të pavarësisë së Indisë, Mahatma Gandhi, statuja e të cilit është pranë Ambasadës indiane në Uashington.

XS
SM
MD
LG